Kosova fiton 60 milionë euro për infrastrukturën

Pamje në Prishtinë

Komisioni Evropian i ka ndarë Kosovës një ndihmë prej 60 milionë eurosh, që realizohen përmes Instrumentit të Paraanëtarësimit në Bashkimin Evropian.


Komisioni Evropian ka nënshkruar sot një marrëveshje me Kosovën, në kuadër të Instrumentit të Paraanëtarësimit në Bashkimin Evropian, me të cilën ndan një shumë prej 60 milionë eurosh për zhvillimin e infrastrukturës në Kosovë.

Bëhet fjalë për një pjesë të donacioneve që BE-ja i ka premtuar Kosovës në Konferencën e Donatorëve.

Shuma prej 60 milionë eurosh të ndara sot, ka destinim ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë, përmirësimin e furnizimit me ujë të Prishtinës dhe projekte të tjera.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje dëshmon edhe një herë perspektivën evropiane të Kosovës. Ai u zotua se do të angazhohet që të ketë transparencë të plotë për të gjitha paratë e evropianëve që do të shpenzohen për rindërtimin dhe rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës - si shteti më i ri që aspiron drejt integrimit në BE.

“Qeveria e Kosovës është duke i bërë të gjitha reformat adekuate për të përshpejtuar përmbushjen e standardeve për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Asistenca financiare, ndihmë përmes procesit të paraanëtarësimit, është duke i ndihmuar jashtëzakonisht Kosovës, që të përmbushen sa më shpejtë gjitha kriteret për anëtarësim”,
tha Thaçi.

Ndërkohë, shefi i Zyrës së Komisionit Evropian në Prishtinë, Renzo Davidi, tha se BE-ja do të mbështesë zhvillimin e demokracisë dhe infrastrukturës në Kosovë. Një përkushtim i veçantë, siç tha Davidi, mbetet çështja e sundimit të ligjit në Kosovë.
Këta 60 milionë euro do t’i shërbejnë shumë Kosovës në përmirësimin e infrastrukturës së përgjithshme. Këtu vlen të theksohet ndërtimi i pallatit të drejtësisë...

“Këta 60 milionë euro do t’i shërbejnë shumë Kosovës në përmirësimin e infrastrukturës së përgjithshme. Këtu vlen të theksohet ndërtimi i pallatit të drejtësisë. Ky objekt do t’i përmirësojë kushtet e punës për gjykatësit, prokurorët dhe profesionistët e tjerë të angazhuar në këtë sektor, si dhe do të mundësojë një qasje shumë më të mirë të drejtësisë për të gjithë qytetarët e Kosovës”,
tha Davidi.

Në Konferencën e Donatorëve, Bashkimi Evropian kishte premtuar një ndihmë prej 508 milionë eurosh, të cilat do të realizohen në periudhën kohore deri në vitin 2011.

Ndërtimi i shtetit dhe demokracisë në Kosovë, sipas kryeministrit Thaçi, po bëhet në harmoni me kriteret evropiane, në mënyrë që Kosova të zë hapin me vendet tjera, që besojnë se perspektiva e tyre është integrimi në strukturat e Bashkimit Evropian dhe NATO-s.