Një aeroplan ushtarak i Indonezisë, në të cilin ndodheshin më se 100 veta, është rrëzuar dhe më pas ka marrë flakë në Javën lindore. Zyrtarët e fatkeqësive raportojnë për së paku 97 të vdekur.
Rustem Pakyah, kreu i qendrës së krizave në Ministrinë e Shëndetësisë, i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters se 97 veta kanë vdekur, ndërsa 15 janë plagosur, përfshirë edhe disa në tokë.
Më herët, Bamban Samoedro, komandant i bazës ajrore në Magetan, afër vendit ku ka ndodhur fatkeqësia, ka raportuar për 90 të vdekur.
“Kemi identifikuar 105 njerëz; 5 nga ta kanë marrë lëndime të lehta, 10 të tjerë lëndime më të rënda, ndërsa të tjerët kanë vdekur”, ka thënë Samoedro.
Në aeroplan gjendeshin 11 anëtarë të ekuipazhit dhe 98 pasagjerë, përfshirë 10 fëmijë, ka bërë të ditur zëdhënësi i ushtrisë kombëtare, Sagom Tamboen, në konferencën për shtyp, duke shtuar se para përplasjes aeroplani kishte qenë në kushte të mira dhe se koha ishte e kthjelltë.
Aeroplani ishte në fluturimin e rregullt nga Xhakarta në bazën në Javën lindore, duke transportuar kështu personelin ushtarak dhe familjet e tyre.
“Forca ajrore do të formojë një ekip për të hetuar aksidentin”, ka thënë një zëdhënës i forcës ajrore, Bambang Soelistyo.
Pamjet në televizion paraqisnin njerëzit duke provuar të shuanin zjarrin.
“Më herët kemi dëgjuar shpërthimin – tani aeroplani është ende në flakë”, tha Suwardi, kreu i nën-qarkut në Magetan, në vendin ku ka ndodhur rrëzimi i aeroplanit.
Ai tha se personeli i forcës ajrore ka bërë përpjekje për t’i evakuuar viktimat, por, sipas tij, ishte shumë vështirë për të arritur te vendi.
“Mendoj se ka ende njerëz brenda”, ka thënë ai, duke bërë të ditur se aeroplani është rrëzuar rreth orës 6.30 të mëngjesit, sipas kohës lokale, rreth 5-7 kilometra nga baza ajrore në Iswahyudi.
Vendi ku është rrëzuar aeroplani është rreth 150 km në veriperëndim të qytetit të dytë për nga madhësia në Indonezi – Surabava.
Ish-shefi i Forcës ajrore, Chappy Hakim, i ka thënë Reutersit se aeroplani që është rrëzuar, ka qenë prodhim amerikan i viteve 1980.