Integrimi i Republikës së Kosovës në strukturat evropiane, si dhe nisja e negociatave me Bashkimin Evropian, sfidohen nga mosnjohja e pavarësisë së saj prej pesë vendeve anëtare të BE-së. Kështu kanë vlerësuar deputetë kosovarë.
Mosnjohja e Kosovës nga pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian, në Prishtinë vlerësohet se mund të ketë efekte negative në procesin e studimit të fizibilitetit, që Komisioni Evropian do të bëjë për Kosovën gjatë këtij viti.
Marrja e vlerësimit pozitiv nga Komisioni Evropian e kualifikon Kosovën për procesin e afrimit të saj me Stabilizim Asociimin, kurse vlerësimi negativ e shtyn çdo marrëveshje të mundshme të Kosovës me BE-në.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ramadan Avdiu, thotë se Komisioni Evropian e ka filluar këtë vlerësim që nga marsi dhe pritet që të përmbyllet gjatë vjeshtës. Por, problemi kryesor, sipas Ramadan Avdiut, është tejkalimi i pengesave që shkakton mosnjohja e Kosovës nga të gjitha vendet e BE-së.
“Akoma janë pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe kjo është një pengesë bukur e madhe. Ka qenë pengesë, në njëfarë mënyre, edhe futja në procesin e studimit të fizibilitetit, por, megjithatë, është gjetur një rrugë dhe jam optimist që prapë do të gjendet rruga për tejkalimin e kësaj pengese”, thotë Avdiu.
Ndërkohë, deputeti i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashi, thotë se barrierat politike që ndodhen para Kosovës në procesin e parakualifikimit për negociata me BE-në, janë mjaft vështirë të kalueshme, marrë parasysh format, të cilat Brukseli i aplikon kur është në pyetje arritja e marrëveshjeve të BE-së me vendet kandidate.
“Sa i përket rrugës së përafrimit me proceset e integrimeve evropiane, Kosova ka barriera formale, të cilat lidhen me legjitimimin e statusit të saj të ri politik, pra të pavarësisë së saj. Ne kemi barriera të drejtpërdrejta - është mosnjohja nga pesë shtete të BE-së, që është pengesë vështirë e tejkaluar, vështirë e anashkaluar, kur dihet se në shumicën e mekanizmave të BE-së vendimet merren me unanimitet dhe kjo Kosovës i kushton”, vlerëson Gashi.
Duke u ndërlidhur me vetë procesin e studimit të fizibilitetit nga Komisioni Evropian, deputeti Ibrahim Gashi thotë se aty do të hetohet se Kosova, në shumë raste, më shumë bën improvizime, sesa që i plotëson me të vërtetë kriteret që i kërkon Bashkimi Evropian.
Ai preferon që BE-ja, para se të konstatojë ngecje, do të ishte mirë që ta ndihmojë Kosovën në arritjen e objektivave.
“Institucionet, të gjitha pa dallim, duhet t’u ikin improvizimeve. Ne mendojmë se kemi kryer diçka, por janë të tjerët ata që na vlerësojmë dhe ne po harrojmë që jemi nën një llupë të vazhdueshme të monitorimit ndërkombëtar, në forma të ndryshme, dhe shumë mirë që jemi. Unë kisha dashur që këto mekanizma të na sugjerojnë më herët rrugën edhe gabimet dhe jo të na lënë të gabojmë dhe pastaj të bëjnë vlerësime negative, sepse ne si shtet jemi shumë i ri, e si klasë politike jemi shumë e re”, thekson Gashi.
Marrë parasysh se Kosova paraqet shtetin më të ri në Evropë, edhe procesi i integrimit të saj në strukturat evropiane konsiderohet të jetë më i ngadalshmi. Deputeti Ramadan Avdiu thotë se, megjithatë, vendet e Ballkanit Perëndimor do ta kenë afërsisht fatin e njëjtë të përfshirjes së tyre në BE.
“Të gjitha vendet e rajonit, me përjashtim të Bosnjës, janë një hap apo dy para nesh, por, megjithatë, Ballkani Perëndimor në BE do të jetë i integruar si rajon dhe institucionet e Kosovës janë duke punuar në këtë drejtim që të përshpejtojmë dhe zëmë hapin me vendet tjera”, thekson Avdiu.
Sa i përket përmbajtjes së raportit të Komisionit Evropian për Kosovën, deputetët Gashi dhe Avdiu presin që aty të njihen përparimet e bëra në legjislacion, në konstituimin e organeve kushtetuese, si dhe në çështjen e integrimit të pakicave.
Në raportin e vitit të kaluar për Kosovën, Komisioni Evropian kishte shprehur brengosje për shkak të korrupsionit në rritje, mosluftimit efikas të krimit të organizuar, si dhe gjendjes në pjesën veriore të Kosovës.