Hooper: Biden do jetë njeriu kryesor për Ballkanin

James Hooper

“Nënpresidenti Biden është duke dhënë shenja brenda administratës, se ai do të marrë rolin udhëheqës në politikat mbi Ballkanin, ai do të jetë njeriu kryesor në këtë drejtim”, thotë James Hooper, ish-diplomat amerikan.


RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Hooper, nënpresidenti amerikan, Joseph Biden, pritet ta vizitojë Kosovën, Bosnjën dhe Serbinë. Çfarë do të thotë kjo vizitë për rajonin?

JAMES HOOPER
Mendoj se nuk do të vinte po të mendonte se rajoni është i qetë, stabil dhe pa probleme. Është e qartë se vjen pasi që sheh shenja jostabiliteti dhe disa probleme.

Gjurmët e luftërave të para 10 - 20 vjetëve, pasojat dhe implikimet e tyre ende nuk janë shlyer tërësisht, situata nuk është plotësisht stabile dhe nuk ka ende eukuilibër në rajon.

Ai po vjen ta shohë situatën vetë dhe veçanërisht njerëzit në Kosovë duhet ta kuptojnë se Biden është duke dhënë shenja brenda administratës, se ai do të marrë rolin udhëheqës në politikat mbi Ballkanin, ai do të jetë njeriu kryesor në këtë drejtim.

Presidenti Obama është e qartë se nuk ka ndonjë sfond të veçantë mbi çështjet e Ballkanit, nuk është se është i interesuar mbi to veçanërisht, duke qenë se është më i përqendruar në problemet financiare, ekonominë, pastaj Pakistan, Afganistan, në Irak dhe çështjet arabo-izraelite.

Nënpresidenti Biden do të jetë politikë-bërësi i lartë në Ballkan dhe kjo mendoj se është shumë mirë për rajonin.

RADIO EVROPA E LIRË

Cilat mendoni se janë mesazhet që do t’i sjellë zoti Biden?

JAMES HOOPER
Së pari, mendoj se dëshiron ta sinjalizojë Bashkimin Evropian se amerikanët do të jenë më të angazhuar në krahasim me periudhën e zotit Bush.

Shtetet e Bashkuara e kanë lënë pak a shumë politikën mbi Ballkanin në duart e Bashkimit Evropian, jo tërësisht, por Shtetet e Bashkuara ishin të përqendruara diku tjetër.

Mendoj se Bideni po sinjalizon së pari se “ne amerikanët do të jemi më të përfshirë, prandaj ju, Bashkimi Evropian, duhet të na llogarisni më shumë, duhet të ketë një sërë mirëkuptimesh si të trajtohen këto çështje”.

Ai do të vizitojë tre shtete, Bosnjën, Serbinë dhe Kosovën dhe këto janë tre rajonet me probleme potenciale që ai i sheh.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka të tillë që thonë se kjo vizitë mund të shihet edhe si një shtytje për integrim të përshpejtuar të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike. A do të pajtoheshit?

JAMES HOOPER

Ka njerëz në fakt që e besojnë këtë, por është e vështirë të thuhet. Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë të gatshme, fillimisht duhet ta lëvizin përpara programin e reformave për t’u përgatitur.

Por, me sa e kam kuptuar unë, është duke u afruar koha kur pritet që Bashkimi Evropian t’i ofrojë, mes tjerash, Serbisë dhe Malit të Zi, një formë të qarkullimit të stilit Schengen për të hyrë në Bashkimin Evropian.

Me sa e di unë, Kosova nuk është përfshirë në këtë grup. Kjo mund të jetë pak spekulative dhe nuk dua të tingëlloj sikur jam i autoritetshëm dhe që i di të gjitha që do të ndodhin, por nëse kjo është e vërtetë, kjo nuk do të ishte një shenjë për integrim.

Madje, do të mund të kuptohej si shenjë për Serbinë që “s’ke nevojë të reformohesh dhe s’ke nevojë ta dorëzosh Mlladiqin, ndërkohë që mund të përfitosh privilegje dhe avantazhe të shumta, kurse kosovarët do të mbeten jashtë”.

Shpresoj që kjo të jetë një nga çështjet, të cilat kosovarët do t’i ngrenë gjatë takimit me nënpresidentin Biden, kur të jetë në Prishtinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Që prej ardhjes në pushtet të kësaj administrate amerikane, është përfolur mundësia e emërimit të një të dërguari të posaçëm amerikan për Ballkanin. Mendoni se kjo do të ndodhë?

JAMES HOOPER
Fillimisht, ka qenë e planifikuar që rajonin ta vizitojë Jim Steinberg, zëvendës i Sekretares amerikane të Shtetit, dhe është dashur që ai ta marrë udhëheqjen në politikat mbi Ballkanin, në vend të emërimit të një të dërguari të posaçëm.

Por, pastaj, nënpresidenti Biden vendosi që vetë të vizitojë rajonin. Mendoj se kjo ka ndodhur për faktin se duan të shohin nga afër sa serioze është situata, a ka rajoni vërtet probleme të këtilla, që kërkon nivel të lartë serioziteti.

Prandaj, mendoj se kësaj çështjeje do të përpiqen t’i gjejnë një përgjigje gjatë këtij udhëtimi.

RADIO EVROPA E LIRË
Meqë po flasim për problemet, cilat janë rreziqet më serioze me të cilat përballet rajoni, e veçanërisht Kosova?

JAMES HOOPER
Së pari, padyshim, është veriu. Kosova nuk ka raporte stabile me Serbinë, për të mos thënë se s’ka raporte fare. Në veri ka përpjekje jashtëzakonisht të zbehta për të vendosur çfarëdo kontrolli të qeverisë qendrore në Prishtinë.

Komuniteti ndërkombëtar është duke i nxitur disa përpjekje në veri, që është gjë e mirë, por Beogradi vazhdon ta mbështesë atë që e konsideron qëndrim parimor, ndonëse në vija ekstreme, për të mos e njohur pavarësinë e Kosovës.

Është një politikë globale që Beogradi ndjek në mënyrë shumë efektive më duhet të them. Nuk pajtohem fare me atë që bën, por Serbia ka një politikë efektive në rrafshin diplomatik për t’i përmbushur synimet e saj.

Çështja tjetër është se brenda administratës ka shqetësime për nivelin e korrupsionit dhe dilema nëse Kosova ka marrë kahjen e një shteti të dështuar. Ka shumë gjëra, të cilat zoti Biden duhet t’i shohë dhe unë shpresoj që Qeveria e Kosovës të ketë dy ose tri çështje të rëndësishme për të ngritur në takimet me të.

Së pari, të trimërojnë një angazhim edhe më të madh amerikan për të arritur deri tek një njohje më e madhe ndërkombëtare të shtetësisë kosovare. Në këtë mënyrë, numri do të lëvizte nga 58 apo 59 sa është sot, në 100, me ç’rast do t’i vinte edhe fundi i përpjekjeve të Serbisë.

Një çështje tjetër që mund të ngrihet nga kosovarët është të kuptojnë se sa seriozisht do të mund të mbështetej çdo veprim në veri të Kosovës nga ana e Shteteve të Bashkuara, për të mundësuar shtrirjen e kontrollit të Prishtinës atje.

Dhe, së treti, nëse Prishtina është e interesuar të marrë hua ndërkombëtare, për shkak të krizës ekonomike, duht t’ia thonë nënpresidentit Biden se do ta bëjnë së shpejti.

Pra, ata duhet të kenë një listë të shkurtër me tri çështje, mbi të cilat Qeveria e Kosovës mund të diskutojë me nënpresidentin amerikan, Joe Biden.