“Nuk ka asnjë dyshim në faktin se pjesëmarrësit në protesta gëzojnë ndihmën dhe mbrojtjen e disa liderëve serbë në Kosovë dhe mbështetjen indirekte të njerëzve të caktuar në Beograd”, thotë ish-ambasadori amerikan, William Montgomery.
Ish-ambasadori amerikan në Serbi, William Montgomery, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, thotë se protestat e serbëve të Kosovës në afërsi të Gjilanit nuk janë spontane dhe se penjtë janë duke i tërhequr liderët serbë të veriut të Kosovës, të cilët gëzojnë mbështetjen logjistike nga Beogradi.
WILLIAM MONTGOMERY
Nuk dua të them se Beogradi i ka planifikuar dhe organizuar më herët këto protesta, por nuk ka asnjë dyshim në faktin se pjesëmarrësit në protesta gëzojnë ndihmën dhe mbrojtjen e disa liderëve serbë në Kosovë dhe mbështetjen indirekte të njerëzve të caktuar në Beograd.
RADIO EVROPA E LIRË
Është indikative se askush nga strukturat e larta të pushtetit në Beograd nuk i ka ftuar protestuesit serbë që t’i ndërpresin protestat…
WILLIAM MONTGOMERY
Natyrisht që askush s’ka bërë asnjë thirrje. Madje as ata serbë në Beograd që njihen për orientime më të moderuara ose ata që në thellësi e besojnë faktin se teknikisht Kosova është e humbur, nuk guxojnë ta thonë këtë, nuk guxojnë as ta thonë publikisht qëndrimin e tyre se e pranojnë këtë fakt.
RADIO EVROPA E LIRË
Si e komentoni faktin se as presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, zëri i të cilit dëgjohet mbi të gjitha çështjet politike në Serbi, nuk u ka bërë thirrje protestuesve në Kosovë të heqin dorë nga protestat dhe bllokadat?
WILLIAM MONTGOMERY
Mendoj se realiteti aktualisht në Serbi është i tillë që të gjithë politikanët serbë, duke mos e llogaritur këtu Çedomir Jovanoviqin, funksionojnë në kuadrin e kalkulimeve se nuk është në interesin e tyre, që në çfarëdo mënyre të “lëshojnë pe” përpara pavarësisë së Kosovës apo autoritetit që misioni evropian ka në Kosovë. Të gjithë e kanë një vlerësim të këtillë dhe të gjithë veprojnë në pajtueshmëri me të.
RADIO EVROPA E LIRË
Sa është një situatë e këtillë shpërthyese? A mund të dalë nga kontrolli?
WILLIAM MONTGOMERY
Mendoj se rreziku të cilin e parasheh shumica nuk ka të bëjë me atë se serbët në Kosovë do të vazhdojnë ciklin e protestave, se gjatë tyre do të ketë edhe incidente më të vogla me elemente dhune – kjo është e parashikueshme.
Rreziku qëndron në faktin se në një moment, shqiptarët e Kosovës, në kuadër të përpjekjeve për zgjidhjen e këtij problemi, nuk do të mbështeten më në bashkësinë ndërkombëtare dhe do të fillojnë të ndërmarrin hapa të njëanshëm.
Dhe ata, para së gjithash, do të mund të ndërmerren nga politikanët që aktualisht nuk janë në garniturën qeverisëse. Këtu qëndron përshkallëzimi potencial i asaj çfarë po shohim tani.
RADIO EVROPA E LIRË
A shihni ndonjë shenjë që tregon se gjërat do të ecin në këtë drejtim?
WILLIAM MONTGOMERY
Po, e shoh. Politikanët kosovarë, të cilët nuk janë në Qeveri, janë gjithnjë e më të zëshëm në kritikat e tyre, për shkak të mosndërmarrjes së çfarëdo veprimi, kështu që Prishtina gjendet në një trysni gjithnjë e më të fuqishme të forcave të këtilla opozitare.
Prandaj, edhe kanë ndodhur ato veprime që kanë ndaluar hyrjen e disa zyrtarëve serbë në Kosovë.