PDK kërkon distancim nga krimet

Foto arkiv

Kryesia e Kuvendit të Kosovës nuk është pajtuar që ta fusë në rendin e ditës për seancën e radhës nismën e PDK-së, me të cilën kërkohet që Kuvendi të distancohet nga krimet e rënda që kanë ndodhur pas luftës në Kosovë. Partitë opozitare thanë se Kuvendi nuk është institucion që merret me zbardhjen e rasteve kriminale.


Partitë politike vazhdojnë me nismat e tyre për debate parlamentare rreth zhvillimeve të pasluftës në Kosovë.

Pas nismës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për të debatuar dhe hetuar shërbimet informative, tani është iniciuar një nismë nga Partia Demokratike e Kosovës, me të cilën i kërkohet Kuvendit të distancohet nga të gjitha krimet e kryera pas luftës.

Një kërkesë e tillë nuk është miratuar nga Kryesia e Kuvendit dhe i është kthyer PDK-së për sqarime shtesë.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, vlerësoi se kërkesa e PDK-së është e paqartë.

Duke e arsyetuar këtë nismë, kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, tha se kërkesa e kësaj partie është bërë për shkak se krimet, të cilat janë bërë pas luftës, duhet të zbardhen dhe të dihen autorët.

“Ne që 12 vjet kemi dëgjuar fjalë dhe realiteti është se kanë ndodhur - që nga vrasjet e rënda, pastaj akuza për keqpërdorime, për krim ekonomik, për korrupsion. E gjithë kjo duhet të përfundohet dhe nëse ka të bëjë me realitetin, atëherë kryesit të dalin para drejtësisë”.

“Nëse ky perceptim është i pabazë, të përfundohet dhe të mos terrorizohet qytetari i Kosovës, sepse po i qesim një hije të zezë vendit tonë”,
u shpreh Grabovci.

Zyrtari i PDK-së tha po ashtu se kjo nismë nuk është një kundërpërgjigje ndaj kërkesës së AAK-së për hetim parlamentar ndaj SHIK-ut, e iniciuar javën e kaluar.

Me nismën e PDK-së nuk janë pajtuar partitë tjera në Parlament. Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, tha se Kuvendi nuk është ai institucion që zbardh rastet kriminale.

“Është marketing i thjeshtë politik. Është shumë e qartë se nëse dikush pas luftës ka pësuar më së shumti nga këto krime të rënda politike, ajo ka qenë LDK-ja dhe veprimtarët e shquar të LDK-së. Fatkeqësisht, asnjë rast deri më tani nuk është zbuluar”.

“Për mendimin tonë, diçka nuk sjell asnjë rezultat. Mendojmë se me drejtësinë dhe me aktet e rënda, çdokush spastrohet kur i jepet dënimi i merituar - cilido qoftë që ka bërë krim. Çfarëdo debati që do të mbahej, nuk do ta shfajësonte askënd për krimet e bëra”,
tha Beqiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, tha se AAK-ja nuk mund të distancohet nga diçka që nuk ka bërë. Gjini tha se nga krimet mund të distancohen ata që i kanë bërë ato.

“Kuvendi nuk mund të distancohet nga krimet, ose të paktën deputetët e Aleancës nuk kanë nevojë të distancohen nga krimet, të cilat nuk i kanë kryer”.

“Kushdo që mendon se si individ ose si pjesë e grupit duhet të distancohet nga dikush, këtë mund ta bëj vetë...”,
deklaroi Gjini.

Ai tha se insistimi i PDK-së për distancim nga krimet, do të mund të kuptohej edhe si obstruksion ndaj nismës së AAK-së për formimin e një komisioni për hetime parlamentare ndaj SHIK-ut.

LDK-ja dhe AAK-ja e kanë rikujtuar PDK-në se janë hetuesia dhe gjykatat ato që duhet të zbardhin rastet e krimeve dhe jo Kuvendi i Kosovës. PDK-ja insiston që të ketë një distancim në Kuvend, i cili më tepër ka karakterin e një distancimi politik.