Kosova ka marrë konfirmimin zyrtar për anëtarësimin e saj në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ky lajm është konfirmuar nga kryeministri Hashim Thaçi, i cili ka thënë se ky anëtarësim paraqet një dëshmi për njohjen e subjektivitetit të shtetit të Kosovës.
Mbështetja e Kosovës prej 96 shteteve që të bëhet anëtare e barabartë e Fondit Monetar Ndërkombëtar paraqet njohje të subjektivitetit shtetëror të Kosovës, ka deklaruar kryeministri Hashim Thaçi.
Pas FMN-së, Thaçi tha se pret anëtarësimin e plotë të Kosovës në Bankën Botërore, si dhe në Bankën Evropiane për Rindërtim e Zhvillim. Sipas Thaçit, këto zhvillime do të kenë efekte të drejtpërdrejta edhe në njohjet e reja të shtetit të Kosovës.
“Kosova ka fituar një atribut shumë të fuqishëm të subjektivitetit ndërkombëtar, ka fituar një njohje shumë të fuqishme ndërkombëtare të votimit nga 96 shtete, pra edhe nga vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”.
“Pra, është edhe anëtarësim i Kosovës në FMN, por edhe fuqizim i subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë, e, në të njëjtën kohë, nënkuptohet edhe si vazhdimësi apo hapje e perspektivës për njohje edhe më të fuqishme për shtetin e pavarur, sovran e demokratik të Kosovës”, tha Thaçi.
Nënshkrimi i marrëveshjes së Kosovës dhe FMN-së pritet të bëhet në qershor. Sipas kryeministrit, anëtarësimi i Kosovës në institucione monetare paraqet edhe përgjegjësi më të mëdha për këtë vend në zhvillimin ekonomik, por edhe angazhim të shtuar në luftimin e dukurive negative.
Pranimi i Kosovës erdhi në Ditën e Evropës. Kryeministri dhe Qeveria e Kosovës e kanë kuptuar këtë edhe si mesazh për subjektivitetin që Kosova duhet ta fitojë në kuadër të integrimeve evropiane. Por, Thaçi ka tërhequr vërejtjen se dinamika e këtyre integrimeve varet nga vetë Kosova.
“E ardhmja evropiane e Kosovës është e sigurt. Koha varet edhe nga ne. Sa më tepër sukses që të kemi ne në qeverisje të mirë, sundim të ligjit, në implementimin e parimeve dhe standardeve evropiane, edhe rruga jonë do të jetë më e shkurtër”, theksoi Thaçi.
Edhe Ambasada Amerikane në Prishtinë, përmes një deklarate, ka mirëpritur anëtarësimin e Kosovës në Fondin Ndërkombëtar Monetar, duke thënë se anëtarësimi në këtë institucion të rëndësishëm financiar do t’i ndihmojë Kosovës në përpjekjet e saj për të arritur stabilitet ekonomik dhe prosperitet në dobi të të gjithë qytetarëve të saj.
Sipas njoftimit zyrtar nga Qeveria e Kosovës, pro anëtarësimit të Kosovës në FMN kanë votuar 96 shtete, 38 kanë abstenuar, kurse 10 vende ishin kundër.