Jahangir: Në Kosovë ka tolerancë fetare

Pamje në Prishtinë

Me gjitha faktin se 90 për qind e popullatës së Kosovës i përket besimit islam, nuk vërehet dominim apo jo tolerancë fetare, ka thënë sot në Prishtinë, Asma Jahinglar, raportuese speciale e Kombeve të Bashkuara për liritë e fesë dhe besimit.

Në Kosovë ka tolerancë fetare me gjithë faktin se 90 për qind e popullatës i përket fesë islame, ka thënë sot në Prishtinë raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara për Lirinë e Fesë dhe Besimit, Asma Jahangir.

Nga 5 maji, Jahangir ka vizituar Prizrenin, Gjakovën, Deçanin dhe Graçanicën, si dhe ka zhvilluar takime me përfaqësues fetar, politikë dhe ata të shoqërisë civile. Në fund të vizitës, gjatë një konference për media, ajo tha se kishte vizituar shumë vende që ishin me një gjendje shumë më të rëndë se Kosova në fushën e lirisë së fesë dhe besimit.

Fakti që 90 për qind e popullatës janë myslimanë, sipas saj, nuk ka ndikuar që të ketë jo-tolerancë dhe dominim të një feje ndaj tjetrës.

“Kurrë nuk krahasoj një vend me tjetrin, por më duhet të them se në Kosovë nuk kam gjetur ndonjë qëndrim regjit në lidhje me religjionin. Njerëzit në Kosovë e kuptojnë lehtë dhe akomodohen lehtë me secilin religjion”, tha Jahangir, duke vlerësuar se kjo është për çdo respekt.

Jahangir do të hartojë një raport, të cilin do t’ua prezantojë Kombeve të Bashkuara në lidhje me gjetjet e saj në fushën e respektimit të lirisë së fesë e besimit në Kosovë. Ajo tha se kishte edhe disa rekomandime që do t’ua bëjë institucioneve të Kosovës, në mënyrë që liria e fesë të kuptohet edhe më drejt se që akceptohet tani.

Asma Jahangir

“Do të përmend çështjen e mbajtjes së shamisë. Vënia e shamisë është një e drejtë e gruas, nëse dëshiron apo nuk dëshiron ta vë atë. Po ashtu, rekomandim tjetër do të jenë politikat e besimit fetar dhe regjistrimi i religjioneve”,
tha Jahangir.



Pjesa tjetër e rekomandimeve tha se i kushtohet shtetit dhe formave që duhet të aplikojë për të rritur edhe më shumë tolerancën dhe mirëkuptimin mes komuniteteve fetare.

Raportuesja e Kombeve të Bashkuara rikujtoi gjendjen e rëndë që ka kaluar Kosova gjatë kohës së konfliktit, kur shumica shqiptare, e cila i përket në përqindjen më të madhe besimit islam, i ishte nënshtruar një regjimi diskriminues në kohën e Millosheviqit.

Pasojat e luftës, sipas saj, hetohen edhe sot. Një nga këto pasoja ishin edhe trazirat e marsit të vitit 2004, kur një pjesë e objekteve fetare ortodokse ishte vënë në shënjestër, duke shkaktuar dëmtime të shumta.

Sidoqoftë, Jahangir tha se në Kosovë ajo kishte vërejtur se këto objekte të dëmtuara, sot janë ndërtuar apo janë në fazën e rindërtimit dhe këtë fakt ajo tha se do ta përfshijë në raportin e saj për Kombet e Bashkuara.

Në përgjithësi, Jahangir tha se Kosova ka nevojë për përparime në fushën e lirisë së fesë e besimit, por, siç u shpreh ajo, krahasuar me shumë vende, në Kosovë, megjithatë, ka një tolerancë të theksuar në fushën e religjionit.