Nevoja e intensifikimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, bashkëpunimi bilateral, si dhe gjendja në rajon - janë çështjet në të cilat janë fokusuar gjatë takimit ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Vuk Jeremiq, me nikoqirin e tij në Shkup, Antonio Milloshovski.
Shefi i diplomacisë serbe, Jeremiq, tha se me Shkupin zyrtar edhe më tej ka dallime të thella sa i përket çështjes së Kosovës.
“Shkupi dhe Beogradi nuk kanë pikëpamje të njëjtë sa i përket statusit të Kosovës dhe, për fat të keq, edhe më tej nuk kemi afrim të qëndrimeve sa i përket kësaj çështjeje”, tha ministri serb, Jeremiq, duke shtuar:
“Pozicioni ynë për Kosovën është i qartë - Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë dhe ne si Qeveri e Serbisë do t`i shfrytëzojmë të gjithë mekanizmat demokratikë juridikë dhe diplomatikë, që të mbrojmë këtë qëndrim tonin sa i përket çështjes së Kosovës”, ka deklaruar në Shkup ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq.
Edhe ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Antonio Milloshovski, ka theksuar se “nuk është sekret se dy vendet kanë dallime për disa çështje që kanë të bëjnë me zhvillimet në rajon”.
Milloshovski tha se të dyja vendet kanë interes të përbashkët për të intensifikuar procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në strukturat euro-atlantike.
“Mendoj se në këtë drejtim mund të ndërtojmë një bashkëpunim të frytshëm dhe bashkërisht të angazhohemi që të arrihen këto qëllime si për Maqedoninë, Serbinë, ashtu dhe për tërë Ballkanin në përgjithësi, meqë interes për të gjithë ne është që sa më parë të integrohet rajoni në NATO dhe BE”, tha shefi i diplomacisë maqedonase, Antonio Milloshovski.
Ndryshe, shefi i diplomacisë së Serbisë, Vuk Jeremiq, është përfaqësuesi i parë zyrtar i Serbisë qe arrin për vizitë në Shkup, pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Maqedonia, si dhe dëbimit të ambasadorit të Maqedonisë nga Beogradi, në nëntor të vitit të kaluar.