“Joe Biden në maj viziton Kosovën?”

Të përditshmet kosovare

Mediat e shtypura kosovare raportojnë se në muajin maj, nënpresidenti amerikan, Joe Biden, do të vizitojë Kosovën. Duke u bazuar në burimet e RTK-së, “Zëri” shkruan se Joe Biden do të arrijë në Prishtinë në periudhën ndërmjet 17 dhe 21 majit, kur ai edhe planifikon të nisë një turne diplomatik në rajon. “Zëri”, duke iu referuar edhe mediave serbe, shkruan se Joe Biden do vizitojë edhe Serbinë.

E përditshmja “Express”, ndërkaq, vlerëson se Kosovën, që gjendet në fillet e periudhës së stabilizimit, e viziton nënpresidenti amerikan, që vlerësohet si një përkrahës i kahershëm i pavarësisë.

Megjithatë, sipas gazetës, ambasada amerikane në Kosovë nuk e ka konfirmuar ardhjen e z Biden. Sipas “Express”, vizita më e lartë e një përfaqësuesi amerikan në Kosovë ka qenë ajo e ish-presidentit Bill Clinton, në vitin 1999, ku edhe kishte mbajtur një fjalim në Ferizaj.

Ndërsa, për Serbinë, vizita e z. Biden do të jetë me e larta që nga qëndrimi i ish-presidentit Jimmy Carter në Beograd, në vitin 1980, shkruan e përditshmja “Express”.

Incidentet e djeshme në veri të Mitrovicës, ku serbët sulmuan me granata dore EULEX-in dhe KFOR-in, trajtohen në numrat e sotëm të shtypit kosovar. E përditshmja “Koha Ditore” shkruan se protestuesit serbë po kërkojnë që me dhunë të ndalin kthimin e shqiptarëve në lagjen Kroi i Vitakut, që gjendet në pjesën veriore te Mitrovicës.

E përditshmja “Lajm” në ballinën e saj mban shkrimin me titullin “Me plumba kundër kthimit”, ku ndër të tjera shkruan se dhjetëra serbë tentojnë, por nuk ia dalin që të pengojnë rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve në veri.

Kurse, “Bota sot” cilëson se në Mitrovicë është një gjendje lufte. Serbët e armatosur dhunojnë të drejtat e shqiptarëve në veri, vlerëson kjo gazetë.

Duke mbetur te e njëjta temë, “Kosova sot” shkruan se këto përpjekje të serbëve nuk duhet të tolerohen në pafundësi. Acarimi i situatës nga elementet kriminale, që vazhdojnë të veprojnë në pjesën veriore të Mitrovicës, është skandaloz dhe dëshmon se kush në fakt është duke penguar paqen në këtë pjesë të Kosovës, shkruan “Kosova sot”, duke shtuar se pa i bllokuar këto elemente, vështirë se do të ketë paqe afatgjate në Mitrovicë.

Ndërkaq, sipas “Kohës ditore”, si pasojë e krizës globale financiare, në Kosovë ka rënë shitblerja e apartamenteve, shtëpive e trojeve.

Gazeta shkruan se mijëra shtëpi, banesa dhe troje kanë mbetur pa u shitur që nga viti i kaluar. Kjo, sipas “Kohës ditore”, dëshmohet më së miri nga pronarët e agjencive të shitblerjes së patundshmërive, biznesi i të cilëve ka marrë një teposhtë që nga fillimi i këtij viti. Rënia e të ardhurave nga diaspora thuhet të jetë një nga shkaqet, që ky sektor po ndien efektin e krizës globale.

Megjithatë, siç shkruan “Koha ditore”, efekti i rënies së shitjeve nuk ka ndikuar ende në uljen e çmimeve të patundshmërive. Përkundrazi, në qendër të Prishtinës, sipas agjencive, vërehet një ngritje e çmimeve të apartamenteve, shkruan “Koha ditore”.