Qeveria e Kosovës ka aprovuar strategjinë dhe projektligjin kundër korrupsionit. Kryeministri Thaçi tha se vetëm vendet që ndërtojnë një rend demokratik e të sundimit të ligjit, mund të shpresojnë të jenë pjesë e familjes evropiane.
Korrupsioni nuk është vetëm fenomen, por edhe dukuri që duhet të luftohet nga institucionet e Kosovës, ka deklaruar ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Nekibe Kelmendi.
Nevoja për luftimin e dukurisë së korrupsionit në Kosovë është shtruar edhe nga kryeministri Hashim Thaçi. Qeveria e Kosovës ka miratuar sot strategjinë dhe projektligjin anti-korrupsion.
Kryeministri kosovar tha se strategjia anti-korrupsion është në harmoni me prioritetet e Qeverisë së tij dhe me standardet evropiane për një qeverisje efikase e demokratike dhe me zero tolerancë ndaj kësaj dukurie negative.
Vetëm vendet që arrijnë të krijojnë një ambient të shëndoshë e demokratik të qeverisjes, kanë perspektivë evropiane, tha Thaçi, duke besuar se Kosova është nisur kësaj rruge.
Vetëm një vend demokratik me institucionet demokratike, efektive, transparente dhe të sundimit të ligjit, mund të ketë sukses në instalimin dhe vazhdimësinë e qeverisjes së mirë...
“Vetëm një vend demokratik me institucionet demokratike, efektive, transparente dhe të sundimit të ligjit, mund të ketë sukses në instalimin dhe vazhdimësinë e qeverisjes së mirë, por, në të njëjtën kohë, edhe në realizimin e objektivave tona”, tha Thaçi.
Ndërsa ka prezantuar strategjinë anti-korrupsion dhe Ligjin kundër korrupsionit, ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, tha se Kosova ka nevojë për ndryshimin e strategjisë së deritashme në luftimin e këtyre dukurive negative.
Ajo rikujtoi edhe raportin e fundit të Komisionit Evropian për Kosovën, ku, mes tjerash, kërkohet reforma në sistemin e drejtësisë. Andaj, ndryshimi i legjislacionit të deritashëm, sipas Kelmendit, paraqet pikërisht angazhimet, të cilat i ka kërkuar edhe Komisioni Evropian dhe të cilat sot shtrohen edhe si nevoja të Kosovës.
“Është nevojë imanente e ndryshimit të Ligjit në fuqi anti-korrupsion, për t’i evituar të gjitha mangësitë që i ka ligji në fjalë dhe për ta përshtatur atë me nevojat e kohës dhe për t’i bërë ato më të përshtatshme dhe më efikase në përpjekjet tona për parandalimin dhe luftimin e korruspsionit, i cili, sipas raportimit të Agjencisë Kosovare Anti-korrupsion, tanimë nuk është fenomen, por është bërë dukuri në disa institucione të rëndësishme publike”, tha Kelmendi.
Ministrja Kelmendi tha para Qeverisë së Kosovës se dukuria e korrupsionit po dëmton rëndë imazhin e Kosovës. Ajo rikujtoi raportet e Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe Komisionit Evropian, të cilat fokusohen sidomos në institucionet dhe ndërmarrjet publike, ku kjo dukuri është më shumë e përhapur.
Kjo dukuri paraqet problem tejet serioz për Qeverinë e Kosovës, prish imazhin e Kosovës dhe pengon funksionimin e mirë të institucioneve të vendit...
“Bazuar në të dhënat e raportuara në periudhën 2007-2008, të cilat paraqesin një analizë të situatës, perceptimi publik, shkaqet dhe pasojat e veprimeve korruptive, konstatohet se korrupsioni është i përhapur edhe më tutje dhe se kjo dukuri paraqet problem tejet serioz për Qeverinë e Kosovës, prish imazhin e Kosovës dhe pengon funksionimin e mirë të institucioneve të vendit”, theksoi Kelmendi.
Me gjithë miratimin e Strategjisë dhe Projektligjit Kundër Korrupsionit, Qeveria nuk mund t’i zbatojë ato përderisa Kuvendi i Kosovës të mos i aprovojë përfundimisht.
Kryeministri Thaçi tha se vetëm një bashkëpunim i koordinuar mes Qeverisë dhe institucioneve tjera do të mund të sillte rezultate në luftim efikas të dukurive negative në institucionet dhe shoqërinë kosovare.