“Misionet e ndryshme ndërkombëtare në Kosovë kanë mandate të ndryshme mbi bazën e të cilave do të veprojnë në vend”. Kështu kanë deklaruar përfaqësues të Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë.
Prania e vazhdueshme e misioneve ndërkombëtare me mandat neutral karshi statusit të Kosovës duket se nuk shqetëson Zyrën Civile Ndërkombëtare në Kosovë, mandati i së cilës derivon nga Plani Ahtisaari dhe mbështetet nga Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, ku bëjnë pjesë shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Përderisa misioni i Kombeve të Bashkuara si dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian vazhdojnë të jenë të pranishme në Kosovë pa e njohur shtetësinë e saj, përfaqësues të ICO-së vlerësojnë se prezenca e misioneve të tilla nuk mund të pengojë punën e këtij mekanizmi.
Zëdhënësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Kai Mueller-Berner, thotë se institucioni të cilin ai përfaqëson, do të veprojë vetëm në kuadër të direktivave të përcaktuara nga mandati i tij.
“Misionet ndërkombëtare në Kosovë kanë mandate të ndryshme mbi bazën e të cilave punojnë dhe zyrat rajonale. Ne, si Zyrë Civile Ndërkombëtare, përqendrohemi në mandatin tonë specifik, i cili ka të bëjë me këshillimin e Qeverisë së Kosovës në zbatimin e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për statusin e Kosovës”, tha Mueller-Berner, duke e cilësuar procesin e decentralizimit si mënyrë të mirë për të depërtuar te serbët kosovarë.
Zyrtarë të Qeverisë së Serbisë, ndërkohë, përveç se janë shprehur kategorikisht kundër pavarësisë së Kosovës, vazhdojnë të tregojnë dhe një kundërshtim ndaj Pakos së Ahtisaarit dhe proceseve që lidhen me të. Në lidhje me këtë, ata kishin ngritur zërin duke e quajtur të domosdoshëm vazhdimin e prezencës së misionit të OKB-së në Kosovë.
Sidoqoftë, administrata e Kombeve të Bashkuara, në kuadër të procesit të rikonfigurimit të misionit të vet në Kosovë, përveç reduktimit të stafit, i cili pritet që deri në fund të verës së këtij viti të arrijë deri në 500 veta, ka reduktuar praninë e saj dhe në terren.
Kështu nga disa zyra rajonale që ka pasur në fillim, UNMIK-u tani pritet të ketë 4 zyra të vogla, siç thuhet, në qendra të ndryshme të Kosovës, e të cilat pritet të përqendrohen kryesisht në ato zona ku jetojnë komunitete të ndryshme.
Zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko, thotë se përveç selisë qendrore të këtij misioni në periferi të Prishtinës, UNMIK-u do të ketë dhe tri zyra të tjera, prej të cilave njëra në Mitrovicë, ndërsa vendimi për dy zyrat e tjera, sipas tij, do të varet nga diskutimet e OKB-së mbi buxhetin, që do të mbahen gjatë muajit maj në Nju Jork.
“Së pari, ne nuk e administrojmë më Kosovën, kështu që funksionet, të cilat do t’i ketë misioni i Kombeve të Bashkuara, do të kenë të bëjnë pikërisht me raportim politik. Ne do t’i kemi disa zyra të vogla në rajon, që do të na sjellin informata politike, të cilat do të analizohen pastaj këtu në selinë qendrore”, tha Ivanko.
Zyra Civile Ndërkombëtare, ndërkaq, ka funksionalizuar zyrat e saj rajonale në Pejë, në Prishtinë dhe në Prizren, ndërsa zyra e radhës, sipas përfaqësuesve të ICO-së, pritet të hapet në qytetin e Gjilanit, më datën 21 prill.
Fushat e veprimit të tyre, siç njoftohet, kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, decentralizimin, të drejtat e komuniteteve, edukimin, kthimin e integrimin dhe të tjera. Ndërsa, duke folur për veprimin e ICO-së në Mitrovicë, zëdhënësi i këtij misioni, Mueller-Berner tha:
“Vlen të theksohet se kemi themeluar zyrën tonë dhe në Mitrovicë, e cila përqendrohet kryesisht në fushën e sigurisë dhe të sundimit të ligjit, kthimin dhe lirinë e lëvizjes, të drejtat pronësore dhe banesore, si dhe zhvillimin ekonomik”, theksoi Mueller-Berner.
Përzierja, siç thuhet, e misioneve të ndryshme ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, nga analistë dhe organizata të ndryshme vendore e ndërkombëtare është cilësuar si faktor kryesor që mund të çojë në krijimin e paqartësive rreth fushave të përgjegjësive të misioneve në fjalë.
Ndryshe, në Kosovë veprojnë misioni i Kombeve të Bashkuara, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, misioni i Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit - EULEX-i, Zyra Civile Ndërkombëtare, si dhe ajo e Përfaqësuesit Special të BE-së.