Frika nga politizimi i KQZ-së

Partitë në pushtet dhe ato në opozitë, ende pa nisur fushata parazgjedhore, kanë nisur akuzat e ndërsjella. AAK-ja akuzon pushtetin qendror se po tenton politizimin e KQZ-së, gjë kjo që, sipas tyre, do të çojë në manipulim të zgjedhjeve. Këto akuza hidhen poshtë nga PDK-ja, e cila i cilëson këto vetëm si paragjykime.

Akuza të ndërsjella ende pa nisur fushata parazgjedhore. Subjekti opozitar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka disa herë që përsërit se Partia Demokratike e Kosovës po tenton të politizojë Komisionin Qendror Zgjedhor, i cili tashmë organizon zgjedhjet i pavarur nga ndërkombëtarët.

Zëdhënësi i AAK-së, Besnik Tahiri, thotë se ky subjekt ka evidentuar shumë fakte për të ardhur te konkluzioni se zgjedhjet e ardhshme mund të manipulohen.

“Fakti që KQZ-ja ka muaj të tërë që nuk është funksionale dhe duke parë se shefi ekzekutiv i këtij komisioni nuk po zgjidhet për shkak të barrierave politike, të Qeverisë aktuale, të partive politike që udhëheqin këtë koalicion, janë indikatorë të qartë se ka tendencë jo vetëm për të manipuluar, por për të pasur nën kontroll këtë institucion të pavarur”, shprehet Tahiri.

Një gjë të tillë e hedh poshtë Partia Demokratike e Kosovës. Zëdhënësi Blerand Stavileci i quan të pabaza akuzat në drejtim të subjektit që udhëhiqet nga kryeministri Hashim Thaçi.

“Mendoj se këto janë në vargun e deklaratave që bëhen, që nuk kanë argumente, janë të pabaza dhe që nga tash, edhe pse jemi larg mbajtjes së zgjedhjeve, manipulohet me deklarata të ndryshme, spekulohet dhe thuhen gjëra të pavërteta, dhe tentohet që të zhvendoset vëmendja e opinionit nga gjërat që nuk kanë të bëjnë me vetë procesin. Këto janë paragjykime”, pohon Stavileci.

Në të vërtetë, njëri nga anëtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor, Fadil Maloku, konfirmon se në këtë komision ka ekzistuar një luftë për të pasur monopolin nga dy subjektet më të mëdha në Kosovë.

Kuvendi i Kosovës
Por, sipas tij, aktualisht kjo çështje është zgjidhur dhe KQZ-ja qysh të martën e ardhshme do të zgjedhë kryeshefin ekzekutiv, pas të cilit veprim Komisioni do të bëhet funksional.

Maloku, që i takon subjektit opozitar Aleanca Kosova e Re, nuk beson se zgjedhjet e ardhshme do të manipulohen.


“Unë nuk besoj se mund të manipulohen, por është një zhurmë e paarsyeshme, sepse KQZ-ja me Kushtetutën e Kosovës është institucion i pavarur dhe si i tillë do të duhej ta kryente punën. Në tërë punën që ka bërë KQZ-ja gjatë këtij mandati, kur kanë qenë problemet teknike, nuk kemi pasur probleme dhe kemi pasur konsensus herë të heshtur, herë të imponuar. Por, meqë pavarësia e tij garantohet me Kushtetutë, nuk ka vend për politizim”,
tha Maloku.

Por, Besnik Tahiri, i AAK-së, ende nuk bindet në këtë.

“Ne sot, që 7 muaj, nuk kemi shef ekzekutiv dhe kjo është bërë pasi që PDK-ja e ka bojkotuar këtë përmes KQZ-së. Dhe, ky argument është i mjaftueshëm. Tendenca është jo për të manipuluar, por për ta pasur nën kontroll këtë institucion, i cili certifikon rezultatet zgjedhore”, pohon Tahiri.

Zgjedhjet, deri në vitin 2007, i ka organizuar OSBE-ja. Rezultatet e tyre gjithherë janë pranuar nga subjektet politike dhe nuk ka pasur kontestime. Ndërkohë, zgjedhjet e fundit nuk janë organizuar, por vetëm mbikëqyrur nga ky mision.

AAK-ja ka shfaqur drojën se zgjedhjet e ardhshme lokale, që mbahen në vjeshtë, mund të manipulohen, nëse ky mision nuk do të ketë rol mbikëqyrës në to.