Procesi i GJND-së, i (pa)vërejtur

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Më pak se një javë para përfundimit të afatit të vënë nga GJND-ja për paraqitjen e argumenteve të Prishtinës dhe Beogradit lidhur me legalitetin e pavarësisë së Kosovës, analistët thonë se duhet bërë gati për një proces të gjatë që mund të ketë ndikime të ndryshme.

Me gjithë deklarimet e udhëheqësve politikë të Kosovës, sipas të cilëve, Kosova është bërë gati për të vërtetuar legalitetin e shpalljes së pavarësisë së saj para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, njohësit e zhvillimeve politike në Prishtinë tërheqin vërejtjen se ky proces mund të prodhojë efekte politike të dëmshme për shtetësinë e Kosovën.

Edhe pse, sipas tyre, mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që ka karakter këshillues, nuk mund të ketë pasoja juridike për shtetin e Kosovës, ata thonë se Kosova duhet të bëhet gati për çfarëdolloj skenari të mundshëm.

Analisti Lulëzim Peci konsideron se pasojat e gjithë këtij procesi veç kanë filluar të vërehen, sidomos në dinamikën e njohjes së shtetësisë së Kosovës, e cila, sipas tij, është ngadalësuar pikërisht për faktin se një institucioni ndërkombëtar të drejtësisë i është kërkuar të shprehet në lidhje me legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“Kemi pasur një ritëm jo të shpejtë të njohjeve të Kosovës dhe një prej shkaqeve është vetë fakti që procesi gjendet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Po ta kishte pasur të garantuar humbjen Serbia, ajo nuk do ta kishte paraqitur këtë rast në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, tha zoti Peci.

Analisti Lulëzim Peci mendon se opinioni i GJND-së, i cili do të ishte në favor të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, do t’u shërbente shteteve që akoma nuk e kanë njohur Kosovën si pikë referimi për të marrë një hap të tillë.

Mirëpo, ai po ashtu thekson se pasojat e një opinioni eventual negativ të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, mund të ndikojnë në një tjetër ndryshim politik të vendit.
Nëse mendimi nuk do të jetë i favorshëm për ne, atëherë do të kemi pasoja mjaft të rënda politike....

“Nëse mendimi nuk do të jetë i favorshëm për ne, atëherë do të kemi pasoja mjaft të rënda politike dhe mendoj se në atë moment Kosova do të detyrohet që ta riformulojë në tërësi politikën e saj të jashtme”,
shtoi Peci.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte caktuar datën 17 prill si afat të fundit për dorëzimin e dëshmive nga palët e përfshira në këtë proces. Përfaqësues të Ministrisë së Jashtme të Kosovës, ndërkohë, janë zotuar të kenë bërë gati dokumentin, të cilin do t’ia dorëzojnë këtij trupi ndërkombëtar në afatin e caktuar kohor - dokument ky i cili, sipas mediave kosovare, përbëhet nga rreth 500 faqe.

Në lidhje me këtë, opozita kosovare kishte adresuar një varg kritikash drejt ekzekutivit kosovar, sipas të cilave, puna e deritanishme në procesin përgatitor është mundësuar vetëm falë mbështetjes ndërkombëtare që gëzon Kosova. Kjo mbështetje, sipas analistit Driton Lajçi, ka qenë e domosdoshme.

“Nuk mund ta neglizhojmë këtë akt, shumë madhor në këtë rast, sepse ne nuk jemi fuqi e madhe ekonomike e politike që diktojmë rregullat e lojës. Shpesh të tjerët na i diktojnë... dhe vendet që hezitojnë të njohin Kosovën, mund të marrin si rast Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, u shpreh zoti Lajçi.

Procesi i interpretimit legal të shpalljes së pavarësisë së Kosovës ishte iniciuar në vitin që shkoi nga Serbia dhe ishte mbështetur nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.