Obama ua dorëzoi Traktatin Shqipërisë dhe Kroacisë

  • Augustin Palokaj

Strasburg, 4 prill 2009.

Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, ua dorëzoi Traktatin e Uashingtonit Shqipërisë dhe Kroacisë. NATO tha se do të jetë e vendosur për sigurinë dhe paqen në Ballkan.


Shefat e shteteve të NATO-s në samitin e tyre historik, në Starsburg të Francës dhe në Kehl të Gjermanisë, kanë ripërsëritur përkushtimin e Aleancës ndaj Ballkanit dhe Kosovës.

Kjo është thënë edhe në deklaratën përfundimtare të këtij samiti, në të cilin ndodhën disa gjëra historike.

Ishte ky samiti që shënoi 60-vjetorin e NATO-s, të krijuar me Traktatin e Atlantikut të Veriut në Uashington, pikërisht më 4 prill të vitit 1949; u mirëpriten për herë të parë në një samit si anëtare të reja formale Shqipëria dhe Kroacia, ndërsa Franca shënoi kthimin historik në të gjitha strukturat ushtarake të Aleancës.

Ishte ky edhe samiti i parë i NATO-s në të cilin mori pjesë presidenti i ri amerikan, Barack Obama.

Obama, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve për Kosovën, tha se falë angazhimit të NATO-s, ndihmës evropiane dhe punës që kanë bërë vetë njerëzit e Ballkanit, sot Ballkani është më stabil, por ky stabilitet në disa vende është fragjil.

“Jam i shqetësuar për mundësinë që rënia ekonomike të ketë ndikim negativ në Ballkan dhe në mundësitë e vendeve të Ballkanit që të zgjidhin mospajtimet e tyre në mënyrë paqësore. Kjo nuk vlen vetëm për Ballkanin, por për të gjitha vendet e botës, sepse kriza ekonomike mund të sjellë edhe krizë sociale, dhe si pasojë edhe politike. Prandaj, edhe kemi vendosur të ndërmarrim masa në samitin e G20-ës në Londër”,
tha presidenti Obama.

Më herët, gjatë ditës, në fillim të samitit, liderët e NATO-s u dëshiruan mirëseardhje anëtarëve të rinj – Shqipërisë dhe Kroacisë.

Pasi u dëshiroi mirëseardhjen në NATO, sekretari i përgjithshëm, Jaap de Hoop Scheffer, ftoi presidentin amerikan, Barack Obama, që si shef i shtetit që ruan Traktatin e Uashingtonit, t’ua dorëzojë nga një kopje presidentëve të Shqipërisë dhe Kroacisë.

“Dua t’ua drejtoj qëndrimet e mia drejtpërdrejt delegacioneve nga Shqipëria dhe Kroacia dhe udhëheqësve të tyre. Mirëserdhët në NATO! Jemi shumë të emocionuar për pjesëmarrjen tuaj. Aleanca e Atlantikut është 60 vjet e vjetër dhe është masë për vitalitetin tonë dhe ne ende mirëpresim anëtarë të rinj”, ka thënë presidenti Obama.

Presidenti amerikan ka përmendur kontributin e madh që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin Shqipëria dhe Kroacia në operacionet e NATO-s dhe e ka quajtur këtë si dëshmi se këto vende janë të gatshme që t’i kryejnë detyrat e veta si aleatë në NATO.

Obama ka folur edhe për vazhdimin e politikës së dyerve të hapura, pra për vazhdimin e procesit të zgjerimit.

“Kur po mirëpresim Shqipërinë dhe Kroacinë në NATO, kjo nuk do të jetë hera e fundit që kemi një festim të tillë dhe unë pres ditën kur mund të pranojmë edhe Maqedoninë në Aleancë. Dyert për anëtarësim mbeten të hapura për shtetet tjera që mund të plotësojnë standardet e NATO-s dhe mund të japin kontributin në sigurinë e aleatëve”, ka thënë presidenti Obama.

Ndërkaq, në deklaratën nga samiti flitet edhe për Kosovën dhe përkushtimin ndaj Ballkanit.

“Ne mbesim të përkushtuar për sigurinë rajonale dhe stabilitetin në Ballkan. Vlerësojmë punën e shkëlqyeshme të bërë nga KFOR-i për të ndihmuar në ruajtjen e një ambienti të qetë dhe të sigurt dhe për mbrojtjen e lirisë së lëvizjes në Kosovë. Përsërisim vendimin tonë që KFOR-i të mbetet në Kosovë për aq sa ka mandatin operacional dhe aq sa do të ketë nevojë”, thuhet në deklaratën e miratuar nga samiti.

Në të njëjtin dokument shtohet se shefat e shteteve të NATO-s mirëpresin edhe vendosjen e misionit të EULEX-it dhe ftojnë të gjitha palët që të mundësojnë vendosjen dhe operimin e plotë të EULEX-it në tërë Kosovën. Edhe nga Serbia kërkohet që të bashkëpunojë lidhur me Kosovën.