Përdorimi i ligjeve në rastet që procedohen nga 31 gjyqtarët e EULEX-it që veprojnë në Kosovë, do varet nga vendimi i tyre, thonë zyrtarë të këtij misioni. Ekspertët theksojnë nevojën për zbatimin e një legjislacioni në tërë Kosovën.
Gjyqtarët e misionit të Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit, EULEX, mund të zgjedhin se cilit legjislacion do t’i referohen gjatë gjykimit të rasteve të ndryshme në Kosovë.
Kështu thotë zëdhënësja e komponentit të drejtësisë në EULEX, Kristina Herodes, e cila shpjegon se vendimi rreth përdorimit të ligjeve në rastet e caktuara varet nga specifikat e rasteve veç e veç.
Kjo çështje, siç pohon ajo, varet nga koha kur është kryer vepra për të cilën bëhet fjalë në gjykim, apo, në rastet kur ka dy ligje të ngjashme, nga ligji më i favorizuar për palën mbrojtëse.
Në këtë mënyrë duket se deri më tani kanë kryer punën e tyre 50 gjyqtarët dhe prokurorët e EULEX-it, prej të cilëve 31 gjykatës, ndërsa 19 prokurorë, të cilët operojnë në gjykatat në Kosovë.
“Në përgjithësi, ashtu si veprohet në Evropë, kur ka ligje të ndryshme, atëherë gjyqtarët u referohen ligjeve që janë në fuqi në atë kohë, por varet nga gjyqtarët se cilat ligje do t’i përdorin”, tha Herodes.
Shefi i EULEX-it, Yves De Kermbon, kohë më parë, nuk e kishte përjashtuar mundësinë e zbatimit të ligjeve të Serbisë në pjesën veriore të Kosovës, duke theksuar se gjyqtarët evropianë duhet të vendosin se a do t’i përdorin ligjet e reja të Kosovës që burojnë nga Kushtetuta e vendit, rregulloret e UNMIK-ut apo disa ligje të ish- Jugosllavisë.
Kjo gjë, sipas ekspertëve për çështje juridike në Prishtinë, ndikon në krijimin e pasigurisë juridike në Kosovë.
Eksperti Kujtim Kërveshi mendon se paqartësitë, siç i vlerëson ai, rreth aplikimit të ligjeve nga ana e gjyqtarëve të EULEX-it, ndikojnë dhe në zbehjen e sovranitetit të Kosovës.
“Në Kosovë duhet të zbatohet një legjislacion dhe ai legjislacion duhet të burojë nga aktet kryesore juridike që ka vendi ynë, sepse mungesa e legjislacionit ose juridiksionit të institucioneve tona në disa pjesë të Kosovës, dëshmon një mungesë të sovranitetit dhe të shtrirjes së sovranitetit në të gjithë territorin e Kosovës”, shprehet Kërveshi.
Duke cituar një rregull ligjor, Kërveshi konsideron se gjyqtarët kosovarë nuk do të kenë për obligim t’i zbatojnë këshillat e gjyqtarëve evropianë rreth përdorimit të legjislacionit në raste të caktuara.
Sfidë më e madhe për të ardhmen, sipas tij, do të jetë zëvendësimi i legjislacionit të UNMIK-ut me legjislacion që buron nga Kushtetuta e Kosovës. Në lidhje me këtë problematikë, ai sqaron:
“Konditat janë që të thuhet se në Kosovë zbatohet një lloj legjislacioni dhe ai nga legjislacioni i UNMIK-ut dhe ligjet që ka nxjerrë Republika e Kosovës, e që nuk janë, deri diku, në kundërthënie të madhe. Mirëpo, në të ardhmen e shoh kundërthënien në atë që është vendosur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për të ashtuquajturin 6-pikëshin e OKB-së dhe përplasjet që do të mund të ndodhin me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, shton Kërveshi.
Përveç kësaj sfide, sipas ekspertëve për çështje ligjore, EULEX-i do të vazhdojë të përballet dhe me problematikën e rifunksionalizimit të tërësishëm të gjykatave në veri, në të cilat, edhe më shumë se 3 muaj pas operacionalizimit të këtij misioni, vazhdojnë të mos jenë të pranishëm gjyqtarët dhe prokurorët kosovarë.