Opozita në Kosovë kritikon Qeverinë e vendit për mosangazhim të duhur në drejtim të shtrirjes së autoritetit në veri dhe ndalimit të të ashtuquajturit krim ekonomik dhe politik në pjesën veriore të Kosovës. Përfaqësues të ekzekutivit kosovar, ndërkaq, i shohin operacionet e caktuara të forcave të sigurisë, si dhe investimet financiare në veri të qytetit të Mitrovicës, si mjet për shtrirjen e pushtetit në atë pjesë.
Mungesa e autoritetit të Kosovës në pjesën veriore të vendit, si dhe veprimi i strukturave paralele atje, sipas përfaqësuesve të opozitës në Kosovë, vazhdojnë të thellojnë humbjet ekonomike, por edhe politike për Kosovën.
Anëtari i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion nga radhët e partisë opozitare Lidhja Demokratike e Dardanisë, Berim Ramosaj, thotë se nga veriu në territorin e Kosovës hyjnë në mënyrë të pakontrolluar mallra dhe produkte që vijnë nga Serbia.
“Nga mosfutja e organeve përgjegjëse, të cilat vërtet do t’i bëjnë edhe kontrollet doganore, edhe format tjera jotatimore të komunikimit tregtar, që duhet të bëhen me Serbinë, del se kemi humbje të jashtëzakonshme. Madje, nuk janë humbje të natyrës materiale, sa janë të mundura format tjera të këmbimit tregtar me mallra të pabesueshme”, vlerësoi Ramosaj.
Udhëheqësit e institucioneve kosovare, sikurse në nivelin lokal, ashtu dhe atë qendror, kanë pranuar ekzistimin e strukturave të ndryshme në veri, të cilat, siç i kanë cilësuar ata, po mbjellin krimin ekonomik dhe politik në Kosovë.
Mirëpo, sipas Ramosajt, nuk është e mjaftueshme të pranohet ekzistimi i strukturave të tilla pa vepruar në mënyrë aktive drejt shuarjes së tyre. Ai konsideron se ekzekutivi kosovar duhet sa më parë t’i instalojë institucionet përgjegjëse në fushën e sundimit të ligjit edhe në veri.
“Institucionet, edhe të presidentit, edhe të Qeverisë, me sjellje të tilla krejtësisht deklarative politike, nuk mjaftojnë për shtirjen e ndikimit të ligjeve të Kosovës në të gjithë territorin e Kosovës, që është një element shumë i rëndësishëm për funksionimin e shtetit të Kosovës”, tha Ramosaj, duke theksuar se problemet në veri nuk mund të zgjidhen me vendosjen e disa, siç u shpreh ai, pjesëtarëve të EULEX-it në portën doganore 1 dhe 31.
Operacionalizimi i këtij misioni në dhjetor të vitit të kaluar ishte vlerësuar si veprim, i cili do t’ua hapte institucioneve të Kosovës rrugën për të shtrirë autoritetin e tyre edhe në pjesën veriore.
Zyrtarë të këtij misioni po ashtu kanë deklaruar, ditë më parë, se puna e EULEX-it në veri akoma vazhdon të përballet me vështirësi.
Sidoqoftë, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se EULEX-i po kryen punën e vet edhe në pjesën veriore dhe se sukseset e kësaj pune po shihen me kalimin e kohës. Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, thekson se bashkëpunimi me EULEX-in përbën një hap përpara drejt shtrirjes së autoritetit në veri.
“Ka pasur edhe aksione konkrete dhe po punohet në drejtim të zënies së këtyre kriminelëve, në mënyrë që të procedohen para drejtësisë. Në anën tjetër, ne jemi munduar që në forma të ndryshme t’i ndihmojmë qytetarët që jetojnë në veri të Mitrovicës, qoftë përmes investimeve kapitale, dhe qëllimi është që të luftohen këta njerëz, këto struktura”, tha Krasniqi.
Veprimi i strukturave paralele serbe në pjesë të ndryshme në Kosovë, sipas analistëve, do të sfidojë shtetin e Kosovës dhe për një kohë të caktuar, marrë parasysh, siç thuhet, financimin e vazhdueshëm të këtyre strukturave nga ana e Beogradit zyrtar.