Knaus: Kosova – rast për Rusinë ta zemërojë Perëndimin

Verena Knaus

“Është një rast pa kosto për Rusinë. Ajo nuk ka trupa këtu, nuk ka interes ekonomik, nuk ka investime”, thotë në një intervistë për radion Evropa e Lirë, Verena Knaus, nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet.


RADIO EVROPA E LIRË

Zonja Knaus, si e shihni Kosovën 10 vjet pas intervenimit të NATO-s?

VERENA KNAUS
Nëse e krahason Kosovën e para 10 vjetësh, kur NATO-ja vendosi t’i sulmojë caqet serbe, me Kosovën e sotme, dallimi është goditës.

Para 10 vjetësh, Kosova ishte vend në luftë. Kosova, 10 vjet më herët, ishte vend pa perspektivë evropiane, e harruar në masë të madhe nga Evropa. Kosova, para 10 vjetësh, ishte vend me qindra-mijëra refugjatë që derdheshin nëpër kufij, apo të zhvendosur brenda vendit.

Ndërsa sot, më 2009, Kosova është shtet i pavarur, me ekonomi të rimëkëmbur nga shkatërrimet. Por, ende është shtet me probleme tjera, është shtet që ballafaqohet me sfida tepër të mëdha dhe e ardhmja evropiane e Kosovës ende është pezull, dhe kjo ka të bëjë me mosnjohjen nga të gjitha shtetet anëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Siç po thoni dhe ju, Kosova, 10 vjet pas, është shtet. Por, a është shtet funksional?

VERENA KNAUS
Po, mendoj se Kosova është shtet funksional, për një vend që ekziston si shtet vetëm që një vit. Le ta krahasojmë Kosovën me shtetet tjera. Shtetet tjera, që kanë dalë nga ish- Jugosllavia, qoftë Sllovenia, Kroacia, Maqedonia - të gjitha në fillim kanë pasur paqëndrueshmëri.

Në fillim të 90-tave, Maqedonia ka qenë në prag të konfliktit; kishte forcat paqeruajtëse; në vend ka ekzistuar rreziku i konfliktit ndëretnik; ka pasur greva dhe ndërrime të vazhdueshme të qeverive. Sot, Maqedonia është kandidate për anëtare në BE dhe mbase do të ketë qasje të lirë, pa viza në fund të vitit.

Ngjashëm qe edhe me Slloveninë. Nuk ishte vend i përsosur kur u shkëput nga Jugosllavia, por u transformua në mënyrë të shpejtë, për t’u bërë shteti i parë që adopton euron nga vendet e reja anëtare.

Kosova ka një vit që është shtet. Ka shumë probleme, institucionet janë të dobëta, ka ende mbikëqyrje ndërkombëtare. Mendoj se kjo paraqet problem në bërjen e Kosovës një shtet anëtar funksional.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët mbikëqyrjen ndërkombëtare. Si i shihni misionet ndërkombëtare në Kosovë? UNMIK-u është ende këtu, edhe pse është dashur të largohej, ndërsa EULEX-i ende nuk ka një mandat të qartë legal...

VERENA KNAUS
Mendoj se UNMIK-u humbi rastin ta deklaronte misionin të përfunduar vitin e kaluar, kur Kosova shpalli pavarësinë dhe kur hyri në fuqi Kushtetuta, e cila qartazi e zhvendos UNMIK-un në margjina sa i përket rëndësisë.

Prania e re ndërkombëtare këtu, ICO-ja dhe EULEX-i, luajnë një rol të rëndësishëm si punëdhënës, sa i përket punësimit të kosovarëve që kanë punuar më parë në UNMIK - është një stimulim ekonomik.

Por, mendoj se ata duhet të jenë shumë të kujdesshëm, që të mos stërzgjatin mandatin e tyre siç ka bërë UNMIIK-u, sepse sa më herët që mbikëqyrja ndërkombëtare të largohet, aq më herët Kosova ka shans që të bëhet shtet anëtar i BE-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Knaus, seanca e fundit në Këshillin e Sigurimit tregoi sërish dallimet që ekzistojnë mes Perëndimit dhe Rusisë mbi Kosovën. Sa dëme i shkaktojnë këto ndasi funksionimit të Kosovës si shtet?

VERENA KNAUS
Mendoj se Kosova përbën një lojë të vogël, përbën një rast për Rusinë që ta zemërojë Perëndimin. Është një rast pa kosto për Rusinë. Ajo nuk ka trupa këtu, nuk ka interes ekonomik, nuk ka investime.
Kosova vë në sprovë kredibilitetin e SHBA-së, që ndihmoi zgjidhjen e statusit të Kosovës, vë në sprovë kredibilitetin e BE-së, që ka thënë qartazi se Kosova është e interesit evropian.


Kosova vë në sprovë kredibilitetin e SHBA-së, që ndihmoi zgjidhjen e statusit të Kosovës, vë në sprovë kredibilitetin e BE-së, që ka thënë qartazi se Kosova është e interesit evropian.

BE është donatori më i madh, ka investuar më së shumti për ta transformuar Kosovën nga një vend konflikti në atë që është sot. Kështu që loja e vazhdueshme mes Perëndimit e Rusisë për Kosovën duhet të shihet në dritë të asaj që ata përfaqësojnë, sprovimin e fuqisë, për të cilin besoj se s’duhet mbivlerësuar.

Sprova e vërtetë e fuqisë do të vijë atëherë kur BE-ja, me mbështetjen e Amerikës, do marrin me seriozitet përgjegjësitë e tyre për ta bërë Kosovën të suksesshme.

RADIO EVROPA E LIRË
A po i ndërmarrin?

VERENA KNAUS
Po, por jo mjaftueshëm. Do të dëshiroja të shihja më tepër. Do të doja të shihja qasje më aktive, përparim të vërtetë drejt njohjeve, përparim të vërtetë në heqjen e vizave për kosovarët; do të doja të shihja një dozë më të madhe presioni karshi Beogradit për të gjetur një zgjidhje funksionale mbi Kosovën si partnere, fqinje në rajon.

Mendoj se një përkushtim më i madh do të ishte i mirë, sepse ka potencial për një sukses më të madh.

RADIO EVROPA E LIRË
Meqë përmendët Serbinë - 10 vjet pas intervenimit të NATO-s, si i shihni raportet mes Kosovës e Serbisë?

VERENA KNAUS
Nuk mund ta krahasoni Tadiqin me Millosheviqin. Nga disa anë, politika e Beogradit mbi Kosovën në nivelin retorik duket e njëjtë, sepse Beogradi edhe më tej thotë se Kosova është pjesë integrale e Serbisë. Por, 10 vjet më herët në Kosovë bëhej spastrim etnik, mijëra forca paramilitare i vrisnin njerëzit.

Nuk mund të krahasoni retorikën e sotme të Beogradit me faktet në terren të 10 vjetëve më herët. Beogradi ka ndryshuar. Ka ende probleme, kryesisht në veri, ku kredibiliteti i Beogradit se dëshiron të jetë partner evropian, do të vihet në sprovë. Se sa është serioze Serbia mbi agjendën evropiane, do të shihet nga ajo se sa do ta mbështesë projektin evropian në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni ripajtimin, marrë parasysh se 10 vjet pas, Serbia nuk ka kërkuar falje për krimet e bëra në Kosovë nga regjimi i Millosheviqit?

VERENA KNAUS

Nuk mendoj se do të shohim një kërkimfalje në të ardhmen e afërt. Ajo që do të dëshiroja të shihja, janë raportet funksionale. Po ashtu, nuk pres që Serbia zyrtarisht ta pranojë pavarësinë, por mund të shpresojmë për fqinjësi funksionale, si në rastet e vendeve anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën, por i njohin pasaportat.

Fushat si këto, hapat si këta, do t’i normalizonin raportet mes Prishtinës e Beogradit. Ndalimi i përpjekjeve për raund të ri negociatash, ndalimi i financimit të strukturave paralele, që minojnë shtetësinë e Kosovës, bashkëpunimi me Prishtinën, që të luftojnë se bashku kriminelët, bashkëpunimi me BE-në, që të forcojnë kufijtë, në mënyrë që të dyja vendet të fitojnë udhëtim pa viza.

Nga bashkëpunimi për çështje teknike përfitojnë qytetarët e dy vendeve. Këtë do të dëshiroja ta shihja, e mandej do të mund të gjeni formulë diplomatike kompromisi, ku Serbia nuk ka pse ta njohë zyrtarisht Kosovën, por as nuk ka pse të bëhet pengesë për të ardhmen e Kosovës.