G20-ta premton, por dallimet mbeten

Ministrat e Financave të 20 vendeve me ekonomitë më të mëdha në botë janë angazhuar se do t’i marrin hapat e nevojshëm për të ndryshuar ritmet e rënies në ekonominë globale. Problemi, sipas ekonomistëve, qëndron se përveç deklaratave, pak dihet për planet konkrete që këto shtete do t’i ndërmarrin.

"Nuk ka njeri që nuk e kupton se kjo është sfida më e madhe, me të cilën bota është përballur për gjenerata të tëra".

Ishin këto fjalët me të cilat ministri britanik i Financave, Alistair Darling, përshkroi krizën ekonomike në takimin me homologët e tij nga 20 vendet me ekonomitë më të mëdha në botë.

Pjesëmarrësit e atij takimi të zhvilluar ditë më parë ranë dakord që të bënin çfarë ishte e mundur për të rikthyer ekonominë botërore në shinat e duhura.

Në mesin e masave përfshihej dhe dhënia e fondeve shtesë për Fondin Monetar Ndërkombëtar, në mënyrë që ky i fundit të ofrojë më shumë asistencë për vendet që po vuajnë më së rëndi nga kriza globale.

Frymën e takimit e jep qartë dhe deklarata e Sekretarit amerikan të Thesarit, Timothy Geithner.

Timothy Geithner


"Po shihni se si po lëviz bota së bashku me një shpejtësi dhe në atë shkallë që nuk ka ndodhur herë tjetër në kohërat moderne. Sa më e fuqishme të jetë përgjigjja, aq më i shpejtë do të jetë përmirësimi",
tha Geithner.



Me gjithë tonet e solidaritetit, nuk është rënë dakord për gjithçka. Administrata amerikane ka kërkuar nga vendet e tjera të miratojnë paketa shtesë të ndihmës ekonomike, kërkesë që nuk është mirëpritur nga një numër vendesh evropiane.

Mosarritja e një marrëveshjeje nga shefat e financave të G20-ës lidhur me paketat fiskale, cilësohet si dëshpëruese, por edhe e pritshme nga Richard Jackman, nga London School of Economics.

"Bashkëpunimi në rregulloret e financave është shumë i mirë, por nuk është alternativë për mungesën e bashkëpunimit në planin fiskal. Problemi urgjent është rënia e ndjeshme e kërkesës në gjithë globin, çfarë kërkon një përgjigje nga të gjitha vendet së bashku", thotë profesori Jackman.

Megjithatë, bashkëpunimin në planin ndërkombëtar, që u vu re dhe në takimin e ministrave të Financave të G20-ës, një tjetër eksperte, Vannesa Rossi, e sheh më me optimizëm.

"Nuk ka qenë takim i keq, për faktin se nuk kemi pasur ndonjë kundërshtim që t'i ketë trazuar gjërat. Ishte fillim i mirë, ndërkohë që presim që të kemi lajme konkrete nga takimi i 2 prillit i shefave të shteteve dhe qeverive të G20-ës",
thotë ekspertja Rossi, nga Catham House në Londër.

Sipas saj, takimi i 2 prillit duhet të japë detaje konkrete, veçanërisht sa i përket rritjes së fondeve për FMN-në.

"Ne kemi nevojë të dimë më shumë sesa fjalët, do të rrisim kontributet për FMN-në. Ne duhet të dimë shifrat",
pohon Rossi.