Newsweek: "A është euroja në rrezik?"

E përjavshmja "Newsweek" shtron pyetjen se a është e mundshme vdekja e euros? Sipas gazetës, vendeve të euro zonës nuk po u shkon puna mirë, kryesisht, për shkaqe të jashtme, e jo të brendshme.

A është e mundshme vdekja e euros? Derisa recesioni global po thellohet, investuesit me siguri kanë filluar të brengosen se projekti më ambicioz integrues i Evropës deri tash, monedha e përbashkët, që përdoret në 16 shtete sovrane, mund të shkatërrohet nën tensionet aktuale.

Shkaku kryesor që eurozonës nuk po i shkon puna mirë, është i jashtëm, e jo i brendshëm, për shkak se kompanitë në mbarë botën mund t'i zvogëlojnë planet e tyre investuese në periudhat e paqartësisë.

Kjo gjë mund ta dobësojë euron. Në një masë, megjithatë, më e keqja e krizës globale do të përfundojë, nëse ekziston fati, diku më vonë këtë vit. Kur kjo të ndodhë, vendet tregtuese me fokus në investimet më të gjëra, siç është Gjermania, do të mund ta ripërtërinin terrenin e humbur.

Megjithatë, parashikimi në një periudhë afatmesme, për vendet kryesore të Evropës, është ende inkurajues. Konsumatorët gjermanë asnjëherë nuk u janë bashkuar shpenzimeve të nxitura nga kreditë, siç ka ndodhur nga konsumatorët në Shtetet e Bashkuara dhe Britani.

Derisa këta konsumatorë, me gjasë, duhet të përmbahen nga shpenzimet në vitet pas krizës, pjesa kryesore kontinentale e Evropës, së bashku me Kinën dhe Japoninë, mund ta gëzojnë një ngritje pothuajse normale të shpenzimeve, pasi kriza të ketë përfunduar.

Kriza globale e ka prekur eurozonën si një goditje simetrike. Të gjitha ekonomitë në rajon, tash po e ndjejnë këtë rënie.

Në këtë aspekt, eruo zona duket më tepër në kohezion e jo më pak, se që ishte para një viti, kur ngritjet e mëdha të patundshmërive, ishin shndërruar në nxitje në disa vende evropiane, siç janë, Spanja, Greqia dhe Irlanda, përderisa Gjermania edhe më tutje kishte rritje të fuqishme të eksportit.

Kjo do të thotë se tregjet, që ende u shmangen të gjitha llojeve të rreziqeve të perceptuara, mbajnë ndarje më të qartë ndërmjet vendeve të fuqishme të supozuara, siç është Gjermania dhe anëtarëve të eurozonës më të dobëta të supozuara, siç janë Greqia, Irlanda, Italia dhe Spanja, qeveritë e të cilave tash duhet të paguajnë shumë më tepër se Gjermania, për të huazuar në tregjet kryesore globale.

Kjo ka çuar në spekulime se disa shtete të dobëta, mund të tërhiqen nga euroja, me gjasë edhe duke i zgjidhur problemet me fonde, në mënyrë si të Zimbabvesë, duke i shtypur të gjitha paratë, që i dëshiron qeveria, në monedhë të re kombëtare.

Por, kjo strategji është dëshmuar se nuk funksionon. Secili shtet, që i largohet strehimit, që e sjell euroja, do të rrezikonte devalvimin e monedhës së vet të re kombëtare, ndërsa tregjet e letrave me vlerë do të kërkonin premi shumë të larta të rrezikut.

Rrjedhimisht, kreditë për këto vende do të ishin shumë më të shtrenjta.

Por, edhe spekulimet e aty-këtushme në tregjet financiare, se shteti i fuqishëm, siç është Gjermania, do të mund të largohej nga euroja, kanë pak kuptim.