"Dua ta bëj të qartë se nuk mund të ketë këmbim në raport me shqetësimet tona për Kosovën dhe përparimin atje dhe asaj çfarë duhet bërë në Afganistan”, tha zoti Biden pas takimit me sekretarin e pergjithshem te NATO-s, Jap de Hoop Scheffer.
Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joseph Biden, ka deklaruar sot në Bruksel se nuk do të ketë tërheqje trupash nga Kosova për shkak të Afganistanit. Këto komente, zoti Biden i bëri pas takimit që ka zhvilluar me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hoop Scheffer.
“Jo, nuk besoj se do të kemi nevojë të tërhiqemi apo të marrim një vendim për Afganistanin, bazuar në përparimin apo mungesën e tij në Kosovë”, ka thënë zoti Biden.
“Së dyti, ka ende punë për t’u bërë në Kosovë; puna atje ende nuk ka përfunduar. Dhe, së treti, është fillimisht përgjegjësi e Bashkimit Evropian dhe komunitetit evropian në përgjithësi për t’i përmbushur zotimet që kemi dhënë”, tha zoti Biden, në një takim të përbashkët me gazetarë me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s.
“Dua ta bëj të qartë se nuk mund të ketë këmbim në raport me shqetësimet tona për Kosovën dhe përparimin atje dhe asaj çfarë duhet bërë në Afganistan”, tha zoti Biden.
Ai ka qëndruar në selinë e NATO-s në Bruksel, për të marrë pjesë në takimin e sotëm të Këshillit Veri-Atlantik. Gjatë këtij takimi, zoti Biden ka tërhequr vërejtjen se situata në përshkallëzim në Afganistan paraqet një kërcënim të sigurisë për çdo vend anëtar të NATO-s.
Duke iu drejtuar ambasadorëve nga 26 vendet anëtare të NATO-s, ai ka thënë se aleatët e ekstremistëve janë duke u rigjeneruar në Afganistan dhe Pakistan.
Nënpresidenti amerikan gjithashtu ka thënë se Uashingtoni synon të punojë më afërsisht me aleatët evropianë për të eliminuar kërcënimet ekstremiste në rajon.