Obama mund të heqë dorë nga mburoja raketore

Mediat amerikane kanë raportuar se presidenti Barack Obama i ka dërguar një letër presidentit të Rusisë, në të cilën i ka sinjalizuar se Shtetet e Bashkuara mund të heqin dorë nga dislokimi i sistemit të mbrojtjes raketore në Evropën Lindore, nëse Rusia do të ndihmonte që Irani të mos zhvillojë armë bërthamore dhe raketa me rreze të gjatë veprimi.

Gazetat "New York Times" dhe "Washington Post" kanë shkruar se letra i është dërguar presidentit rus Dmitry Medvedev kah mesi i shkurtit.

Zyrtarët, të cilët e kanë përshkruar përmbajtjen e letrës, kanë folur në kushte anonimiteti.

Raportet thonë se Rusia ende nuk i është përgjigjur letrës së presidentit Obama.