Pas zhurmës së madhe në Beograd për "Kosovën si pjesë e Serbisë", fshihet rënia e "entuziazmit" për këtë temë. Ekspertët thonë se kjo ka ndodhur edhe për shkak të sugjerimeve të ashpra dhe eksplicite të faktorëve ndërkombëtarë, drejtuar autoriteteve serbe.
Zhurma rreth Kosovës që tash sa kohë në Beograd mbështjellet me refrenin "ruajtja e integritetit territorial dhe sovranitetit", fsheh një të vërtetë tjetër – faktin se Serbia nuk është e pranishme në Kosovë plot 10 vjet. Këtë e pohon edhe lideri i Lëvizjes së Ripërtritjes Serbe dhe ish-ministri i Jashtëm, Vuk Drashkoviq.
"Fillimisht, gjërat duhet t'i kualifikojmë me emrin e vërtetë. Vetëm me Kushtetutën e Serbisë dhe me Rezolutën 1244, Kosova është pjesë e Serbisë, por realiteti është i tillë që Serbia nuk ka kurrfarë sovraniteti ndaj Kosovës, madje që nga koha e Marrëveshjes së Kumanovës në vitin 1999", thotë Vuk Drashkoviq.
Por, duket se një vit pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, entuziazmi për të dëshmuar se Kosova është pjesë e Serbisë, ka rënë edhe në Beograd. Thuajse hetohet rraskapitje nga përsëritja e refrenit "Kosova është Serbi".
Oliver Ivnaoviq, sekretar shtetëror në Ministrinë për Kosovën, nuk mendon se elitës në pushtet i ka rënë entuziazmi rreth çështjes së Kosovës. Ai mendon se entuziazmi ka rënë te pala shqiptare.
"Rënie ka te shqiptarët, të cilët kanë pritur njohje masovike dhe të shpejtë të pavarësisë, ndërsa kjo është përkufizuar në 54 vende. Nga pavarësia nuk sigurohet ekzistenca dhe këtë kanë filluar ta kuptojnë veçanërisht shqiptarët e rëndomtë, që tash shohin se nga shteti nuk kanë ndonjë dobi të madhe", thotë Ivanoviq.
Në këtë temë, Jelena Miliq, kryetare e Qendres për studime euro-atlantike, ka mendim tjetër:
"Pas daljes në shesh të malverzimeve financiare që janë bërë përmes Ministrisë për Kosovën në kohën e Qeverisë së Koshtunicës, ishte evidente se nuk kemi të bëjmë me asnjë lloj entuziazmi shtetëror ose të ruajtjes së integritetit territorial, por se kemi të bëjmë me interesa private financiare dhe politike", thotë Jelena Miliq.
Ajo pohon se vëmendja e opinionit serb gradualisht do të spostohet nga Kosova te temat tjera siç është kriza ekonomike.
"Për fat, pas një viti, retorika rreth Kosovës ka rënë pakëz. Kjo ka ndodhur në dy muajt e fundit. Mendoj se nuk kemi të bëjmë me bartje të temës së Kosovës nga terreni politik në atë juridik nga ana e pushtetit, por për shkak të sugjerimeve shumë të ashpra dhe eksplicite të faktorëve ndërkombëtarë", konkludon Jelena Miliq.