Duke u shprehur për numrin e vendeve që deri tash e kanë njohur Kosovën, kryeministri Hashim Thaçi tha se nuk janë të rëndësishëm numrat, "por vlera që ata përfaqësojnë".
Viti i parë i pavarësisë së Kosovës ishte i suksesshëm, tha kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Më tutje, ai i tha agjencisë AP se "Kosova do të bëhet anëtare e NATO-s, e Bashkimit Evropian dhe e Kombeve të Bashkuara dhe ne do të njihemi nga e gjithë bota".
Këto komente, zoti Thaçi i bëri në vigjilje të njëvjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Duke u shprehur për numrin e vendeve që deri tash e kanë njohur Kosovën, ai tha se nuk janë të rëndësishëm numrat, "por vlera që ata përfaqësojnë".
Kryeministri Thaçi tha se ka marrë mesazhe urimi nga presidenti amerikan, Barack Obama, dhe liderët e tjerë botërorë, për njëvjetorin e pavarësisë, raporton agjencia AP.
Presidenti Obama i ka dërguar një letër urimi presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, në të cilën thuhet se "në emër të popullit amerikan, ju përgëzoj ju dhe qytetarët e Kosovës në përvjetorin e parë të deklaratës historike të pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt".
Më tutje, në letër shkruan se "derisa populli i Kosovës punon drejt një të ardhmeje të përbashkët, dua të theksoj se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta mbështesin një Kosovë multietnike, të pavarur dhe demokratike, në përpjekjet e saj që ta zë vendin e merituar si anëtare e plotë e bashkësisë së shteteve".