"S'ka dialog pa e njohur pavarësinë"

Të përditshmet kosovare

INFOPRESS
Ekspertë ndërkombëtarë të misionit të Kombeve të Bashkuara kanë diskutuar ndërmjet vete të martën në mëngjes rreth çështjes së trashëgimisë kulturore në Kosovë, pasi që asnjë ekspert nga Prishtina dhe as nga Beogradi, nuk është paraqitur në takim... Zëdhënësi i UNMIK-ut, Rusell Geekie, ka konfirmuar për gazetën mbajtjen e takimit ku kanë marrë pjesë vetëm ekspertë ndërkombëtarë. Ai ka thënë se është diskutuar në lidhje me çështjen e trashëgimisë kulturore dhe janë shkëmbyer pikëpamje të ndryshme. Ai ka thënë se është konsideruar se duhet përkrahur iniciativa për takime...

LAJM
Serbët e veriut, të nxitur nga Beogradi, kanë filluar të tregojnë shenja mosdurimi ndaj çdo veprimi që çon kah stabilizimi i gjendjes dhe kthimi i normalitetit në atë pjesë të Republikës së Kosovës. Rreth 3000 mijë protestues serbë, të martën, janë mbledhur në veri të Mitrovicës për të kundërshtuar formimin e FSK-së, duke e cilësuar atë si organizatë anti-serbe. Gjithashtu ata janë shprehur kundër regjistrimit të mallrave komerciale nga doganierët e EULEX-it që hyjnë në dy pikat kufitare – porta 1 dhe 31, në kufi me Serbinë. Në këto dy pika, të djegura pak ditë pas shpalljes së pavarësisë, deri muajin e kaluar ishte zhvilluar kontrabandë ditën dhe natën, nga e cila kishin përfituar kryesisht drejtuesit e strukturave paralele serbe në pjesën veriore të Kosovës...

KOHA DITORE
Krijimi i besimit në Qeveri për komunitetin e biznesit është më i rëndësishëm sesa ulja e taksave, në mënyrë që këta të fundit të investojnë në Kosovë, ka thënë hartuesi i prioriteteve të Qeverisë së Kosovës, David Klein, në një intervistë për “Kohën Ditore”. Ekonomisti izraelit thotë se ekonomia e Kosovës nuk mund të ndryshohet për një ditë, por e sheh të rëndësishme që kjo Qeveri e di se cilat janë objektivat e saj dhe çka dëshiron të arrijë. Bashkëpunimin e shtetit dhe të komunitetit të biznesit e sheh si një element shumë të rëndësishëm në gjenerimin e vendeve të reja të punës dhe përshtatjen e shkathtësive të fuqisë së re punëtore me kërkesat e tregjeve ekonomike globale...

EPOKA E RE
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, në një intervistë për “Epokën e re”, ka thënë se nuk e di nëse ka pasur marrëveshje ndërmjet partive politike për të hyrë në zgjedhjet e nëntorit 2007, për mandat të plotë. “Nuk mund të them se ka pasur ose jo marrëveshje të tillë, sepse relacionet e atyre partive atëherë kanë qenë çfarë kanë qenë. Është mirë t’i shpjegojnë ato vetë (LDK-ja e AAK-ja). Nëse ka pasur marrëveshje, le të dalin e të thonë po ose jo, ama me fakte”, ka thënë Daci. Ai në këtë intervistë ka sqaruar edhe raportet me liderin e AAK-së, Ramush Haradinajn, dhe me atë të AKR-së, Behxhet Pacollin...

KOSOVA SOT
Pasi në mbledhjen e kaluar të Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, gjatë raportimit të policisë së Kosovës dhe të ministrit të Brendshëm nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm, raportet e paraqitura nga këta dy mekanizma nuk kanë arritur të shqyrtohen nga komisioni, andaj ka mbetur çështje ende e padefinuar nëse këto raporte do të nxirren edhe në debat parlamentar në ndonjë nga seancat e radhës. Kështu është konkluduar në mbledhjen e fundit të Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri të Kuvendit, i cili është mbledhur gjatë ditës së djeshme. Disa nga anëtarët e këtij komisioni, të cilët nuk kanë qenë prezentë në mbledhjen e kaluar, kanë deklaruar se ata nuk kishin qenë të furnizuar me raportet që janë paraqitur në komision deri në takimin e djeshëm. Në komision ka mbizotëruar arsyeja që, duke pasur parasysh edhe situatën delikate të sigurisë në vend, në prag të shënimit të 1-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, të mos nxitohet me rekomandime të komisionit që raportet e tilla të nxirren për debat parlamentar dhe ato të shërbejnë edhe për deklarata politike individuale që mund të mos jenë në vijë me synimet dhe planet që i kontribuojnë ruajtjes së situatës edhe ashtu të brishtë të sigurisë në rajone të caktuara të vendit...

EXPRESS
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha, beson se Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor do t'i bashkohen Bashkimit Evropian në vitin 2014. Ministria e Jashtme në Tiranë njofton nëpërmes një komunikate se Basha e ka marrë këtë afat kohor gjatë takimit me homologun çek, Karel Schwarzenberg. Ministri Basha përfshiu këtu integrimin e Shqipërisë dhe të Kosovës. “Kemi pasur një datë të mundshme të përmbylljes së procesit të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përsëri nga Ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, zotëri Schwarzenberg, i cili theksoi se 100 vjet pas fillimit të konfliktit dhe luftërave botërore në Sarajevë në 1914, i takon që në 2014 ky proces të përfundojë aty ku nisi, në Sarajevë, me integrimin e plotë të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Ministri Basha, pasi u kthye nga Munihu, ku mori pjesë në punimet e Konferencës Ndërkombëtare të Sigurisë...

ZËRI
Institucionet e vendit e kundërshtojnë përfshirjen e Serbisë në bisedime për çështje të brendshme të Kosovës. Ndërsa administrata e Kombeve të Bahskuara në Kosovë është në kërkim të gjetjes së mundësive për një dialog teknik mes Prishtinës e Beogradit, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës e kundërshtuan përzierjen e Serbisë në çështje të brendshme të Kosovës. Serbia nuk ka të drejtë të interesohet për zhvillimet në Kosovës, tha kryeministri Hashim Thaçi... Lidhur me këto bisedime është prononcuar edhe sekretari i Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Oliver Ivanoviq, duke theksuar se negociata direkte ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nuk do të ketë...