Projekti për Marrëdhënie Etnike, gjatë një tryeze diskutimi që u mbajt në Prishtinë, vlerësoi se institucionet kosovare kanë hedhur hapa përpara në integrimin e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas në Kosovë, por se kjo çështje kërkon angazhim akoma më të madh.
Mbrojtja e të drejtave të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas, si dhe riatdhesimi i tyre, akoma mbetet sfidë serioze për institucionet e Kosovës, edhe pse janë arritur rezultate në këtë drejtim.
Ky vlerësim doli nga tryeza e organizuar nga Projekti për Marrëdhënie Etnike, ku u diskutua për sfidat dhe perspektivën e integrimit të qëndrueshëm për banorët romë, ashkali dhe egjiptas të Kosovës.
Kryetarja e Projektit për Marrëdhënie Etnike, Livia Plaks, tha se vendet evropiane në përgjithësi nuk kanë treguar interes në përmirësimin e pozitës së romëve në shoqëritë e shteteve përkatëse.
"Nuk janë ndërmarrë hapa themelorë nga qeveritë apo institucionet ndërkombëtare në këtë drejtim. Një numër i madh i komunitetit romë, ashkali dhe egjitas të Kosovës, janë ende refugjatë nëpër shtetet përreth Kosovës, po ashtu edhe në Evropën Perëndimore”.
“Edhe pse në Kosovë tanimë konsiderohet që situata të jetë e qetë, ata ende nuk janë të gatshëm që të kthehen dhe nuk shohin të ardhme në mesin e komuniteteve, të cilave u kanë takuar më herët. Në anën tjetër, shtetet perëndimore, të cilat kanë pranuar një numër të madh refugjatësh gjatë luftërave në Jugosllavi, janë të interesuar t'i kthejnë ata nëpër vendet e tyre", tha Plaks.
Qeveria e Kosovës, ndërkohë, u zotua të ketë siguruar të drejtat e komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Kosovë përmes dokumenteve kyçe të shtetit të Kosovës.
Ekzekutivi kosovar, në dhjetorin e vitit të kaluar, kishte miratuar strategjinë dhe planin e veprimit për të drejtat e njeriut në Kosovë për periudhën 2009-2011, dokument ky që, sipas zëvendëskryeministrit Ramë Manaj, përfshin dhe respektimin e të drejtave edhe të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas.
"Plani i veprimit reflekton dhe përcakton qartë masat specifike e konkrete për secilin institucion përgjegjës, duke përcaktuar afate të qarta kohore dhe tregues të qartë të suksesit, për të promovuar politika të trajtimit të barabartë në të gjitha fushat e jetës, si në ekonomi, arsim, shëndetësi, strehim, çështje sociale dhe në shërbime publike", tha numri dy i ekzekutivit kosovar, Manaj.
Sipas zyrtarëve të Projektit për Marrëdhënie Etnike, numri i romëve që jetuan në Kosovë para luftës së 1999-ës sillej diku nga 120 deri në 150 mijë, pjesa më e madhe e të cilëve kishin migruar jashtë Kosovës.
Procesi i riatdhesimit të tyre vlerësohet si prioritet, i cili kërkon bashkëpunimin e të gjitha dikastereve të ekzekutivit kosovar. Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, sqaron:
"Ministria e Punëve të Brendshme është institucioni koordinues i procesit të riatdhesimit, mirëpo një pjesë më e madhe e përgjegjësive ndahen te ministritë tjera, si ajo e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e Pushtetit Lokal, ajo e Arsimit dhe të tjera”.
“Në përputhje me strategjinë e riatdhesimit dhe planin e veprimit, si dokumente që tanimë janë duke u zbatuar në Kosovë, edhe këto institucione të tjera të Kosovës kanë përgjegjësi për procesin e riatdhesimit të shtetasve tanë që aktualisht janë në vende të tjera", u shpreh ministri Pajaziti.
Njëra nga të drejtat për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptas, e cila bazohet në Kushtetutën e Kosovës, është dhe përfaqësimi i tyre në Kuvendin e Kosovës. Përkrah komuniteteve të tjera që në numër të caktuar kanë të drejtë të jenë pjesë e këtij institucioni, romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit kanë 4 vende të rezervuara në Kuvendin e Kosovës.