SHBA: Aleatët të ndihmojnë Afganistanin

  • Ahto Lobjakas

Joe Biden dhe Hamid Karzai - foto arkiv

Administrata e re amerikane tha se do të vazhdojë t'i ndjekë qëllimet "e arritshme" në Afganistan dhe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare për "këshilla" dhe "ndihmë".



Në Konferencën e Sigurisë në Munih, nënpresidenti Joe Biden tha se Afganistani dhe Pakistani janë ndër shqetësimet kryesore të sigurisë për Amerikën.

Presidenti afgan, Hamid Karzai, tha se nevojitet koordinim më i madh ndërmjet qeverisë së tij dhe bashkësisë ndërkombëtare, si pajtimi me talebanët.

Duket sikur presidenti Barack Obama i ka ulur pak ambiciet e SHBA-ve në Afganistan.

Në Munih, zyrtarët amerikanë kanë folur për nevojën për t'i vazhduar synimet "e arritshme" dhe qëllimet e tyre i kanë kufizuar në stabilitetin e vendit. Theksi është vënë te synimi që "Afganistani të mund ta sigurojë të ardhmen e vet".

"Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë për një Afganistan stabil, i cili nuk do të jetë parajsë për terroristët", tha nënpresidenti amerikan, Joe Biden.

Por, ai tha se "asnjë strategji" në Afganistan nuk mund të ketë sukses pa adresuar Pakistanin.

Afganistan
Zonat malore midis dy vendeve janë bastioni kryesor i kryengritjes talebane dhe besohet që në këto vise janë strehuar edhe militantët e Al Kaedas.

Rrjedhimisht, Biden e ftoi bashkësinë ndërkombëtare që të ndihmojë për stabilizimin e zonave fisnore të Pakistanit dhe të ekonomisë së këtij vendi.

Ai tha se presidenti Obama ka urdhëruar "rishikimin strategjik" të politikës së Shteteve të Bashkuara në Afganistan dhe Pakistan, për të siguruar se qëllimet janë "të qarta dhe të arritshme".

Ky formulim u përsërit në Munih edhe nga James Jones, këshilltar për Siguri i presidentit amerikan.

Jones, ish komandant i NATO-s, tha se Obama do të vazhdojë ta ndjekë qasjen rajonale ndaj problemit, prandaj edhe e emëroi diplomatin veteran Richard Holbrooke si emisar të tij special për Afganistanin dhe Pakistanin.

"Është më se e qartë se me kalimin e kohës, mësuam se problemet në Afganistan nuk kufizohen vetëm në këtë vend. Kjo është një paketë problemesh rajonale, prandaj i tërë rajoni duhet konsideruar si tejet i rëndësishëm", tha Jones.

Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, gjithashtu i pranishëm në Konferencën e Munihut, u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe pjesës tjetër të bashkësisë ndërkombëtare që t'i ngjeshin radhët pas përpjekjeve të tij për pajtimin me talebanët.

"Nuk ka mënyrë tjetër që ta arrijmë suksesin, të cilin e dëshirojmë, pa ndonjë formë të pajtimit me talebanët", tha Karzai.

Ai tha se talebanët, të cilët "nuk janë pjesë e rrjetit terrorist Al Kaeda", mund të kthehen prapë në shtëpitë e tyre në Afganistan dhe në përgjithësi të "jetojnë një jetë normale".