Jeremiç: Serbia e humbi besimin te NATO-ja

Serbia e ka humbur "besimin" te NATO-ja pas punës që aleancës e bën me Forcën e Sigurisë së Kosovës, ka deklaruar ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç.

"Humbja e besimit tonë në NATO-n është pasojë e rolit të saj në krijimin, trainimin dhe formimin e të ashtuquajturës FSK", ka thënë Jeremiç.

"Kjo është shkelje e qartë e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dhe për ne është e papranueshme", ka thënë ai për shtypin e Beogradit.
Jeremiç ka shtuar se për momentin, marrëdhëniet e Beogradit janë më të afërta me Rusinë se me Shtetet e Bashkuara.

"Me Uashingtonin kemi mospajtime mbi statusin e ardhshëm të Kosovës, dhe ne po përpiqemi të bashkëpunojmë me SHBA-të sa më shumë që mundet për të gjitha çështjet tjera", ka thënë shefi i diplomacisë serbe.