Rezoluta nxit njohje të reja

Pozita dhe opozita në Kosovë presin që pas miratimit të Rezolutës në Parlamentin Evropian, të rritet numri i shteteve që njohin Kosovën. Ministria e Punëve të Jashtme sinjalizon rritje të numrit të njohjeve në përvjetorin e parë të pavarësisë.

Pas miratimit të Rezolutës së Parlamentit Evropian, e cila ndër të tjera bën thirrje për njohjen e Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme pret që edhe pesë shtetet nguruese të BE-së ta njohin pavarësinë, për t'iu bashkuar kështu grupit prej 22 shteteve evropiane që tashmë kanë vendosur marrëdhëniet diplomatike me Republikën e Kosovës.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Albana Beqiri, thotë se Rezoluta e Parlamentit Evropian ndihmon procesin e njohjes.

"E dimë që rezoluta nuk është obligative, megjithatë është një hap shumë i madh. Sinjale nuk kemi vetëm nga vendet e Bashkimit Evropian, por edhe nga vende të tjera. Por, gjithsesi ajo që mund të themi është qëndrimi i prerë i Ministrisë së Jashtme të Kosovës, që nuk flet për emra vendesh që do ta njohin Kosovën, deri në momentin që kjo të ndodhë zyrtarisht", tha Beqiri.

Miratimin e Rezolutës së Parlamentit Evropian e përshëndet edhe Avni Arifi, nga partia opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Por, ai vlerëson se meqë Rezoluta nuk është obligative, nuk mund të thuhet me siguri se 5 shtetet e mbetura të BE-së do ta njohin Kosovën.

"Natyrisht se Rezoluta e Parlamentit Evropian është shumë e mirëseardhur, që do të jetë një shtytje shumë e mirë për shtetet që hezitojnë apo që kanë mendime të ndryshme për njohjen e pavarësisë së Kosovës", u shpreh Arifi.

Spanja, Sllovakia, Greqia, Rumania dhe Qipro janë pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur ende Kosovën. Spanja dhe Sllovakia tashmë kanë deklaruar se shtetet e tyre nuk do të ndikohen nga miratimi i Rezolutës dhe se vendimin për njohjen e Kosovës do ta marrin duke marrë parasysh interesin e tyre kombëtar.

Sidoqoftë, Ministria e Punëve të Jashtme është optimiste se para njëvjetorit të pavarësisë, do të ketë edhe një valë njohjesh të reja. Albana Beqiri shpjegon:

"Ministria e Jashtme e Kosovës ka sinjale shumë të forta, që deri më 17 shkurt do të ketë edhe njohje të tjera për Kosovën. Do të thotë, do të rritet numri 54 i njohjeve të Kosovës – si një hap përshëndetës për pavarësinë e Kosovës. Deri në momentin që njohjet të ndodhin zyrtarisht, Ministria e Jashtme e Kosovës është shumë e kujdesshme që të mos japë emra vendesh që do ta ndërmarrin këtë hap", theksoi Beqiri.

Kuvendi i Kosovës
Por, opozita thotë se paralajmërime të tilla ka pasur edhe më herët, por nuk kanë rezultuar të suksesshme. Avni Arifi thotë se duhet të intensifikohen përpjekjet diplomatike, në mënyrë që të rritet numri i njohjeve.

"Nevojitet gjithsesi intensifikim i aktiviteteve diplomatike nga vetë ne dhe gradualisht mund të presim për një periudhë të caktuar edhe ndryshim të pozicioneve jo vetëm të këtyre shteteve, por edhe të shteteve të tjera", tha Arifi.

Kosovën deri më tash e kanë njohur 54 shtete. Ky numër nga autoritetet e Prishtinës vlerësohet si e arritur e madhe, pasi që në të bëjnë pjesë vendet më të rëndësishme botërore, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian.