Sarkozy: Rusia nuk paraqet kërcënim për Evropën

Ministri i jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier, e hapi sot ditën e dytë të Konferencës ndërkombëtare për sigurinë, duke thënë se tash ekziston mundësia që të arrihet marrëveshja për çarmatim dhe për çështje të tjera të mbrojtjes.

Zëvendës kryeministri rus, Sergei Ivanov, i mbështeti këto pohime, duke theksuar se janë të mundshme ndryshime historike.

Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, tha se Rusia nuk paraqet kërcënim për Evropën ose për NATO-n.

Në fjalimin e tij, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, i kritikoi aleatët evropianë për refuzimin që t'i intensifikojnë përpjekjet e tyre në Afganistan. Ai, poashtu, kritikoi Kirgizinë për vendimin për ta mbyllur bazën ushtarake Manas:

- Unë poashtu jam i shqetësuar kur presidenti i Kirgizisë shpalli në Moskë se baza ajrore Manas do të mbyllet për Shtetet e Bashkuara. Rusia e ka mbështetur mandatin e Kombeve të Bashkuara për operacionin në Afganistan. Ajo ka ofruar, për kënaqësinë time të madhe, tranzit tokësor për furnizimet e misionit në Afganistan. Kjo ishte, së paku, inkurajuese për mbështetjen ruse për këtë mision me mënyra të tjera të rëndësishme, tha Jaap de Hoop Scheffer.

Gjatë ditës në Konferencën e Munihut në Gjermani pritet të flasë edhe zëvendës presidenti amerikan, Joe Biden. Në delegacionin amerikan gjenden edhe këshilltari për siguri kombëtare, James Jones, i dërguari i posaçën për Afganistan dhe Pakistan, Richard Holbrooke dhe komandanti i forcave amerikane në Irak dhe Afganistan, gjenerali David Petraeus.