Dy zinxhirët komandues për policinë (!)

Raportimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në veri përmes EULEX-it është nevojë teknike dhe ka ndodhur për të mbajtur nën kontroll situatën e sigurisë, thonë zyrtarë të Policisë së Kosovës. Përfaqësues të institucioneve theksojnë se ka përpjekje për unifikimin total të zinxhirit komandues për Policinë në veri.


Situata aktuale e sigurisë në rajonin e Mitrovicës si dhe arsyet teknike në veri të këtij qyteti janë arsyet kryesore pse pjesëtarët e Policisë së Kosovës që veprojnë në veri i raportojnë Policisë së Kosovës përmes EULEX-it.

Kështu thonë përfaqësues të institucioneve të Kosovës të cilët theksojnë se ekzekutivi kosovar është duke bërë përpjekje për unifikimin e zinxhirit komandues në Polici.

Kryetari i komisionit Parlamentar për siguri dhe punë të brendshme në Kuvendin e Kosovës, Rrustem Mustafa, thotë se organi që ai drejton tanimë i ka bërë kërkesë Qeverisë së Kosovës të marr një vendim politik për këtë çështje.

"Ne kemi dërguar rekomandimin te Qeveria që të marr një vendim politik për këtë çështje. Ne pajtohemi të veprohet kështu deri në momentin kur të merret vendimi politik nga Qeveria e Kosovës për të vepruar ndryshe", thotë Mustafa.

Shefi i misionit të Bashkimit Evropian për polici dhe drejtësi, Yves De Kermabon, kishte deklaruar, ditë më parë se parapëlqen funksionimin e Policisë së Kosovës me një zinxhir të vetëm komandues, por se sipas tij, akoma nuk është shqyrtuar kjo çështje.

Zyrtarë të Policisë së Kosovës njoftojnë se në fakt funksionimi aktual i Policisë së Kosovës në veri nuk dallon përbën ndarje të strukturës së policisë në vija etnike.

Zëdhënësi i Policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, thekson se pas përfundimit të fazës së tranzicionit në Policinë e Kosovës në këtë pjesë të vendit veprimi i policisë është më autonom dhe më efikas.


"Kur shtrohet pyetja se a kemi njoftim të drejtpërdrejt për raste dhe incidente në stacionin policor brenda zinxhirit komandues të Policisë së Kosovës, atëherë themi se sigurisht që kemi. Mirëpo jo nuk nënkupton se ata e njoftojnë dhe zinxhirin komandues të policisë së EULEX-it, por kjo është vetëm një çështje teknike e bashkëpunimit në komunikim", thekson Hoti.

Incidentet në veri të Kosovës ishin shpeshtuar nga fundi i vitit të kaluar, kanë shtyrë Policinë e Kosovës, misionin e BE-së për policinë si dhe KFOR-in të jetë më i pranishëm dhe të shtojnë numrin e pjesëtarëve të vet në veri.


Mustafa konsideron se marrë parasysh situatën në veri të Kosovës, nuk ka mundur të veprohet ndryshe atje.

"Ne e dimë se atje është e palakmueshme gjendja për një kohë të gjatë. Unë mendoj se kjo është rrugë tranzitore, nuk ka mundur të behët më ndryshe deri më tani, mirëpo ekzistojnë përpjekjet, edhe të ministrit, edhe të Qeverisë, për unifikimin e komandës", vlerëson Mustafa.

Ndërkohë, sipas ekspertëve, unifikimi i zinxhirit komandues brenda Policisë së Kosovës në pjesën veriore si dhe kthimi i pjesëtarëve serb, një pjesë e madhe e të cilëve kishin braktisur vendet e tyre të punës pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, mbeten sfidat kryesore për këtë institucion.