EULEX krijon patrulla multietnike në veri

Patrullat multietnike policore në veri të Kosovës janë krijuar për të mbajtur nën kontroll situatën e sigurisë dhe për të luftuar krimin e organizuar, ka thënë shefi i misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, Yves De Kermabon, gjatë një vizite në Shtërpce.

Raportimi i pjesëtarëve serb të Policisë së Kosovës në stacionet në veri të Kosovës përmes EULEX-it aktualisht është funksional.

Kështu tha shefi i misionit të Bashkimit Evropian për polici dhe drejtësi, Yves De Kermabon, gjatë një qëndrimi në stacionin policor në komunën e Shtërpcës, duke shtuar se parapëlqen funksionimin e Policisë së Kosovës me një zinxhir të vetëm komandues, por se sipas tij, akoma nuk është shqyrtuar kjo çështje.

"Ne kemi këtu oficerë të policisë multi-etnike të Kosovës të cilët i raportojnë shtabit rajonal në Ferizaj. Aktualisht kemi disa stacione tjera policore në veri të Mitrovicës të cilat raportojnë nëpërmjet zinxhirit komandues të EULEX. Kjo është situata aktuale, por duhet të punojmë të gjithë së bashku në mënyrë që të shohim nëse do ta mbajmë situatën aktuale apo ta përmirësojmë atë".
Yves de Kermabon


"Nga ana teknike është më mirë që të kemi një zinxhir të vetëm komandues, por ende nuk kemi ardhur deri këtu dhe ne duhet ta shikojmë këtë çështje me të gjithë oficerët e Policisë së Kosovës",
tha Kermabon.

Pas incidenteve të fundit në veri të Mitrovicës autoritetet kosovare dhe ndërkombëtare të sigurisë kanë shtuar masat e sigurisë për të mbajtur nën kontroll situatën e sigurisë në atë pjesë të vendit.

Për këtë qëllim EULEX-i ka krijuar një lloj taskforce prej 30 policësh.

Shefi i EULEX-it Kermabon thotë se një organizim i tillë është krijuar si nevojë për të siguruar banorët e kësaj pjesë të Kosovës si dhe për të luftuar krimin e organizuar.

"Për ta risiguruar popullsinë ne kemi filluar dy ditë më parë me patrulla shumë etnike të cilat janë një lloj taskforce me 30 oficerë të policisë ku ka shqiptar, serbë dhe disa boshnjakë të cilët patrullojnë së bashku. Nëse në fund të procesit duhet të ndryshojmë zinxhirin komandues, atëherë ne do të bëjmë këtë mirëpo është akoma herët për këtë".

"Kemi këtë organizim i cili po funksionin dhe të gjithë po përpiqemi të përmirësojmë bashkëpunimin ndërmjet të gjithëve në aspektin teknik të efiçensës së Policisë së Kosovës",
shtoi Kermabon.

Ekspertët për të çështje të sigurisë, ndërkohë, thonë se Policisë së Kosovës nuk i duhet një zinxhir komandues i cili nuk është unik. Sipas ekspertit, Ramdan Qehaja, të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës duhet t'i raportojnë këtij institucioni në përputhje me ligjin për polici.

"Sipas mendimit tim nuk është mirë dhe kjo nuk çon në një efikasitet dhe, sipas të gjithë asaj, mund ët ndodhë që punët të mos kryhen ashtu siç duhet. Prandaj, nuk do ët doja që kjo praktikë të vazhdohet edhe më tej. Policia e Kosovës duhet ët raportojë në bazë të zinxhirit komandues të përcaktuar me kushtetutën e Kosovës dhe ligjin për policinë", konsideron Qehaja.

EULEX-i aktualisht ka 1634 pjesëtar të stafit ndërkombëtar dhe 674 nga stafi vendor, kurse pret që të rrumbullakohet numri prej 1900 ndërkombëtarëve dhe 1100 pjesëtarëve të stafit vendor.