Obama dërgon emisarin e tij në Lindjen e Mesme

Presidenti Barack Obama i urdhëroi emisarit të tij për Lindjen e Mesme, George Mitchell që sa më shpejt të shkojë në rajon që të ndihmojë për forcimin e armëpushimit ndërmjet Hamasit dhe Izraelit pas ofenzëvës 22 ditëshe izraelite në Rripin e Gazës.

Ish senatori 75 vjeçar është i njohur për rolin e tij në negocimin e marrëveshjes paqësore në 1998 ndërmjet Protestantëve dhe Katolikëve në Irlandën Veriore.

"Do të jetë politika e administratës sime që në mënyrë aktive dhe agresive të përpiqet për paqen e qëndrueshme ndërmjet Izraelit dhe Palestinezëve, si dhe ndërmjet Izraelit dhe fqinjëve të tij arabë", tha ai.

Presidenti Obama gjithashtu i bëri thirrje Hamasit që t'i ndërpresë sulmet me raketa në Izrael, ndërsa nga Izraeli kërkoi t'i hapë vendkalimet kufitare që të lejohen ndihmat dhe tregtia në Gaza.