Hamasi sërish sulmon Izraelin

Televizioni izraelit raportoi se në jug të vendit kanë ndodhur sërish sulme me raketa nga ana e militantëve të Hamasit, përkundër armëpushimit të shpallur nga ana e Izraelit.

Izraeli ka zbatuar armëpushimin e njëanshëm në qytetin e Gazës pasi shpalli fitoren e ofensivës 22 ditëshe kundër lëvizjes Hamas. Raportohet se situata në Gaza sot ishte e qetë. Izraeli ka thënë se në keto kushte do të ndaloj sulmet mirëpo trupat tokësore do të mbesin në Gaza.

Gjatë një adresimi televiziv kryeministri Ehud Olmert tha se qëllimet e Izraelit janë arritur gjatë ofensivës e cila, sipas tij, e ka lënë Hamasin të shkatërruar shumë keq.

Hamasi ka thënë se nuk e njeh armëpushimin e njëanshëm dhe se do të vazhdojë rezistencën derisa të largohen trupat izraelite.
Mirëpo kryeministri izraelit ka bërë të ditur se luftimet mund të vazhdojnë nëse militantët vazhdojnë të godasin Izraeli.