Rritet numri i viktimave kosovare të trafikimit


Kushtet ekonomike, mungesa e ligjeve, mosekzistimi i politikave të qarta, si dhe rritja e prezencës ndërkombëtare në Kosovë pas përfundimit të luftës më 1999, janë disa nga shkaqet kryesore, që, sipas zyrtarëve të Policisë së Kosovës, kanë ndikuar në rritjen e dukurisë së trafikimit me qenie njerëzore.

Shefi i sektorit kundër trafikimit me qenie njerëzore, Ramadan Ahmeti, thotë se Kosova ballafaqohet me këtë problem për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet si vend në tranzicion.

"Ajo, si pasojë e së cilës është zhvilluar kjo dukuri në Kosovë, është baza ekonomike e njerëzve në tërësi, brishtësia e kufijve, mungesa e ligjeve, si dhe mungesa e ligjeve në kuptimin e migracionit, mosekzistimi i politikave të qarta i të gjitha institucioneve të një vendi për trajtimin e kësaj dukurie, si dhe prezenca ndërkombëtare ka pasur si rezultat zhvillimin e kësaj dukurie", tha Ahmeti.

Sektori kundër trafikimit me qenie njerëzore në kuadër të Policisë së Kosovës, përgjatë vitit 2008, ka asistuar rreth 28 viktima të trafikimit, prej të cilave 16 kosovare, 1 rome, 4 moldave, 3 të Shqipërisë, 1 bullgare, 2 serbe dhe 1 turke, ndërkohë lidhur me masat kontrolluese apo preventive që janë marrë në këtë drejtim, Policia e Kosovës njofton të ketë kontrolluar 694 lokale, prej të cilave 71 lokale të ndryshme janë mbyllur.

Ndërkohë, sipas të dhënave në Organizatën Ndërkombëtare për Migrim, që datojnë nga viti 1999 deri në vitin 2008, IOM ka asistuar rreth 466 viktima të huaja dhe 123 viktima vendore. Zëdhënësi i kësaj organizate, Bekim Hajdini, thekson se në bazë të intervistave të bëra me viktimat e trafikimit, është konkluduar se klientët e shtëpive publike kanë qenë vendorë.

"Në bazë të intervistave të bëra me viktimat e trafikimit ka dalë që shumica e klientëve që i kanë vizituar shtëpitë publike, kanë qenë pikërisht qytetarë vendorë, respektivisht kosovarë", thekson Hajdini.

Sipas Hajdinit, Prishtina, si kryeqytet i Kosovës me numrin më të madh të banorëve dhe me qarkullim më të madh të qytetarëve, ka qenë qendër e trafikimit me qenie njerëzore që nga paslufta.

"Qendra kryesore ka qenë kryeqyteti, për shkak se ka pasur më shumë banorë. Pastaj vijnë qytetet tjera, Gjilani, Ferizaj, Peja, Prizreni dhe të tjera. Pra, shpërndarja e kësaj të keqeje ka qenë e përhapur në tërë territorin e Kosovës", shtoi ai.

Përfaqësuesi i Departamentit për asistencë të viktimave të trafikimit në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, Basri Kastrati, sqaron se Kosova tanimë ka bërë gati strategjinë e duhur për të trajtuar trafikimin me qenie njerëzore.

"Divizioni ka marrë pjesë në hartimin e strategjisë dhe planit nacional anti-trafikim, të cilin e ka koordinuar Ministria e Punëve të Brendshme përmes koordinatorit nacional, zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, me katër përfaqësues si dhe në hartimin e procedurave standarde të veprimit me mekanizma trans-nacionalë të referimit. Dimë se Kosova, deri më tani, ka pasur dy lloj procedurash standarde të veprimit për viktimat vendore dhe të huaja, mirëpo tani kemi harmonizuar një dokument të përbashkët që e quajmë Mekanizëm Trans-nacional të Referimit, që i kalon dhe kufijtë e Kosovës", njofton Kastrati.

Rastet e trafikimit me qenie njerëzore në Kosovë trajtohen në bazë të Nenit 139 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, i cili dënon aktivitetin e secilit që merret me trafikimin e qenieve njerëzore, duke bartur mundësinë e dënimit me burgim prej dy deri në dymbëdhjetë vjet.

Krahasuar me vitin 2007, kur Policia e Kosovës kishte arrestuar rreth 72 persona të përfshirë në trafikim me qenie njerëzore, prostitucion dhe të tjera, në vitin 2008 është rritur numri i të arrestuarve, i cili ka arritur në 98.