Gjykatat në veri ende pa punonjës vendorë

Gjykata në veri të Mitrovicës

Gjykata e Qarkut dhe ajo Komunale në veri të Mitrovicës ende veprojnë me një staf minimal të administratës së OKB-së në Kosovë. Analistët thonë se sistemi gjyqësor në veri ka nevojë për një risistemim të tërësishëm.


Struktura aktuale e punëtorëve në gjykatat në pjesën veriore të Kosovës vazhdon të mbetet e njëjta me atë që ka qenë ditën e rifunksionalizimit të këtyre institucioneve nga administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, në fillim të muajit tetor të vitit të kaluar.

Procesi i rikonfigurimit të pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë po vazhdon me rritjen e stafit të misionit të Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit – EULEX, si dhe me reduktimin e stafit të UNMIK-ut, mirëpo ndryshimi duket se nuk vërehet akoma në institucionet gjyqësore në veri të Mitrovicës, ku, sipas planit, më datën 15 janar duhej të bëhej transferimi i plotë i përgjegjësive nga UNMIK-u në EULEX.

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko, sqaron:

"Kemi pasur një staf prej 4000 vetash para rikonfigurimit. Me kalimin e kohës janë larguar 2000 pjesëtarë të policisë, 700 punonjës lokalë që kanë punuar në sektorin e policisë dhe të drejtësisë. Tani kemi diku një staf prej 400 deri në 500 vetash, të përbërë nga vendorët dhe ndërkombëtarët. Në veri numri i punonjësve për momentin është akoma i njëjtë", tha Ivanko.

Aktualisht, në gjykatat në veri të Mitrovicës veprojnë dy gjykatës dhe dy prokurorë ndërkombëtarë dhe rreth 12 oficerë dhe asistentë gjyqësorë e të tjerë. Veprimi i këtyre punonjësve të administratës së OKB-së në veri ishte paraparë të vlente për një periudhë 60-ditore që nga rifillimi i punës në këto institucione.

Plani i UNMIK-ut parashihte dhe kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve kosovarë në organet gjyqësore në veri - gjë që, sipas kryetarit të Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, Kapllan Baruti, nuk ka ndodhur akoma.

"E di se janë duke punuar në atë drejtim, por asgjë konkrete nuk ka", thekson Baruti.

UNMIK-u shpreh bindjen se gjithçka në këtë drejtim do të shkojë sipas planit. Incidentet e fundit në veri të Mitrovicës, sipas Ivankos, nuk do të ndikojnë në proceset që lidhen me transferin e kompetencave në gjyqësi.

"Nuk besoj që ato do të kenë ndonjë ndikim në tërë procesin dhe jam i bindur që gjithçka do të shkojë rrjedhshëm", thekson Ivanko.

Analistët politikë në Prishtinë, ndërkohë, e shohin të nevojshëm risistemimin e tërësishëm të organeve gjyqësore në pjesën veriore të Kosovës. Ky veprim, sipas analistit Muhamet Kelmendi, nuk mund të prihet nga UNMIK-u, por duhet të bëhet nga EULEX-i, i cili pas datës 9 dhjetor ka filluar operimin e tij në sferën e sundimit të ligjit.

"UNMIK-u nuk mund të merret me këtë çështje, por duhet të merren institucionet e Kosovës në bashkëpunim me EULEX-in dhe EULEX-i të jetë ai që do të bëjë organizimin dhe riorganizimin e mekanizmave të tillë juridikë në nivelin e përgjithshëm në Kosovën veriore", mendon Kelmendi.

Një tjetër çështje problematike lidhur me punën e gjykatave në veri duket të jetë dhe korniza ligjore e veprimit të tyre. Serbët kishin kërkuar që gjykatësit serbë në Kosovë të mos gjykojnë në bazë të ligjeve kosovare, por në bazë të atyre që janë miratuar deri më 1989 dhe rregulloreve të UNMIK-ut. Prishtina zyrtare, ndërkaq, këmbëngul në veprimin e sistemit të drejtësisë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Kelmendi sqaron se si mund të dilet nga kjo situatë:

"Ne nuk do të kemi një bashkëpunim të mirëfilltë midis gjyqtarëve dhe prokurorëve të përkatësisë nacionale serbe dhe përkatësisë nacionale shqiptare apo (punonjësve) të përkatësive të tjera, si boshnjake apo turke, që duhet të respektojnë shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Unë mendoj se organet ndërkombëtare, në këtë drejtim, duhet t'i ndihmojnë Kosovës dhe EULEX-it, duke shtuar presionin në Serbi që ajo të heqë dorë, njëherë e përgjithmonë, nga ndikimi mbi institucionet e tilla në Kosovën veriore",
thotë Kelmendi.

Kohë më parë, UNMIK-u ka bërë të ditur se pasi t'i bartë përgjegjësitë te EULEX-i dhe Qeveria e Kosovës, do të mbajë një Zyrë Ndërlidhëse për Sundimin e Ligjit, e cila, sipas zyrtarëve të këtij misioni, do të ndihmojë në zgjidhjen e rasteve të ndërlidhura me qeveritë apo institucionet që nuk e njohin Kosovën e pavarur.