Synim i vendeve të Ballkanit Perëndimor është integrimi në BE. Por, sa e përmbushin këto vende njërin nga kushtet themelore për anëtarësim - ndërtimi i një fqinjësie të mirë? Në rastin e Kosovës, raportet me tri vendet fqinje - Shqipërinë, Malin e Zi e Maqedoninë, janë shumë të mira, por problem mbetet Serbia.
Raportet e Kosovës me Shqipërinë nuk vihen në diskutim. Ndërsa, është në përfundim shënimi i vijës kufitare me Maqedoninë, që përbënte kontestin e vetëm me këtë shtet, i cili bashkë me Malin e Zi njohën Kosovën tetë muaj pas shpalljes së pavarësisë.
Kufiri me Malin e Zi nuk është përcaktuar ende, por përfaqësues të institucioneve nuk presin se do të ketë probleme. Derisa pritet që shumë shpejt të vendosen raportet diplomatike me Maqedoninë e Malin e Zi, telashet mbesin me Serbinë.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, thotë se qasja serbe dëmton raportet fqinjësore.
“Problemi kryesor qëndron në Serbi, sepse Serbia nuk e njeh realitetin e ri të Republikës së Kosovës. Serbia ka një qasje armiqësore ndaj Kosovës dhe vazhdimisht ka provokuar situatën në Kosovë përmes manipulimeve që u ka bërë disa përfaqësuesve të komunitetit serb që jeton në Kosovë”, thotë Krasniqi.
Profesoresha e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Iliriana Islami, vlerëson se duke përjashtuar Serbinë, në ndërtimin e raporteve me fqinjët tjerë, Kosova ka kaluar testin e demokracisë.
“Standardet që ekzistojnë për fqinjësi të mirë në mes të shteteve, të cilat janë të parapara edhe me vetë Kartën e OKB-së, veç po trajtohen në relacion të tillë që shtetet fqinje e kanë njohur Kosovën. Domethënë, qysh në fillim është dhënë përkrahje shtetit të ri. Kemi filluar që t’i ndërtojmë ato raporte që kërkohen në mes të shteteve fqinje”, shprehet Islami.
Islami thotë se nëse synojnë integrimin në BE, atëherë shtetet e Ballkanit duhet të kultivojnë raporte të mira fqinjësore.
“Fqinjësia e mirë është kusht i parë themelor që të anëtarësohen në Unionin Evropian, që e synojnë të gjitha shtetet”, thotë Islami.
Mediat, para disa ditësh, kanë transmetuar deklaratën e kryetarit malazias, Filip Vujanoviq, ku thuhet se kusht për vendosjen e raporteve diplomatike mes dy shteteve, është njohja e pakicës malazeze në Kosovë dhe krijimi i kushteve për kthimin e të zhvendosurve nga Kosova që jetojnë në Mal të Zi.
Zëdhënësi i Qeverisë thotë se nuk bëhet fjalë për kushtëzime, por për kërkesa.
“Këto nuk kanë qenë kushtëzime, këto kanë qenë disa kërkesa. Dhe, nuk ka kushtëzime në marrëdhëniet diplomatike mes dy shteteve, sepse kur kemi kushtëzime, normalisht se nuk mund të ketë frymë të bashkëpunimit, çka nënkuptojnë edhe marrëdhëniet diplomatike”, thekson Memli Krasniqi.
Analistët konsiderojnë se Kosova duhet të intensifikojë dhe forcojë edhe më tej raportet me vendet fqinje.