KFOR-i nuk lejon kaos në veri

Paqeruajtësit e KFOR-it në Mitrovicë.

KFOR-i pranon se në veri ka grupe të organizuara njerëzish që duan të krijojnë tensione. Ndërkohë, banorët e Lagjes së Boshnjakëve në veri të Mitrovicës ndihen të pasigurt pas incidenteve të fundit që ndodhën në këtë pjesë të qytetit.


Në veri të Kosovës ka grupe të caktuara të njerëzve që duan të shkaktojnë dhunë dhe tensione. Kështu thotë komandanti i Task Forcës Shumëkombëshe Veri, gjenerali francez Michel Yakovleff, i cili incidentet e fundit në veri të Mitrovicës i quan të izoluara dhe i krahason me dhunën urbane në qytete të ndryshme evropiane.

Gjenerali francez Yakovleff nuk mund të japë një vlerësim të saktë lidhur me përfshirjen e strukturave paralele serbe në incidentet e kaluara në Mitrovicë, por thekson se ushtarët e KFOR-it që veprojnë në zonën e përgjegjësisë së tij, do t'i përgjigjen në formën e duhur tentimeve për përleshje.

"Ka një tendencë të mobilizimit të njerëzve të ri, të cilët nuk kanë çfarë të bëjnë, të cilët pinë shumë, të cilët duan të kenë përleshje, e të cilët mendoj se u ngjajnë huliganëve të futbollit në Angli, por nuk jam i bindur se këta persona veprojnë në bazë të planeve të strukturave paralele. Këta njerëz dinë shumë mirë të terrorizojnë një pronar të ndonjë dyqani, duke ia thyer xhamat apo duke ia vënë zjarrin pronës së tij. Njerëzit e mi nuk do të frikohen nga ata, kështu që nëse ata duan të ndeshen, do të ndeshen me ne", shprehet Yakovleff.

Pas tensionimit të situatës në veri të shtetit, trupat e NATO-së kanë ngritur masat e sigurisë dhe në bashkëpunim me forcat policore të Kosovës dhe ata të misionit të Bashkimit Evropian –EULEX. mbajnë nën kontroll situatën e sigurisë atje.

Gjenerali francez konsideron se shtimi i forcave të sigurisë në veri nuk është zgjidhja e duhur për periudhën afatgjate. Ai thekson se përderisa nuk ka vullnet për pajtim, janë të mëdha gjasat për krijimin e një konflikti të madh ndërmjet grupeve që veprojnë në veri.

"Kjo mund të çojë në një konflikt të madh, sepse pastaj do të keni njerëz që duan të hakmerren, njerëz që kanë qenë të pafajshëm dhe që janë futur në këto gjëra, pastaj me ndërhyrjen e familjeve të tyre fillon i tërë procesi", thekson ai.

Përfaqësues të institucioneve kosovare, ndërkohë, thonë se qëllimi kryesor i personave që shkaktuan incidentet në veri, është sfidimi dhe degradimi i EULEX-it dhe i institucioneve kosovare. Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, pranon se prapa incidenteve që ndodhin në veri, nuk qëndron gjithmonë motivi ndëretnik, por që, sipas tij, shumë përleshje shkaktohen nga grupe të caktuara shqiptarësh apo serbësh.

"Këtu është qëllimi, të denigrojnë EULEX-in dhe institucionet kosovare. Shumica e këtyre incidenteve kanë qenë krime në mes të grupeve të ndryshme të interesit dhe kryesisht nga komuniteti serb, edhe pse ka pasur raste kur edhe ndonjë i ri shqiptar ka bërë ndonjë ekses në tensionim. Mirëpo, meqenëse është një mes multi-etnik dhe në të kaluarën ka pasur gjithmonë një prapavijë etnike, nuk mund të zhdukësh urrejtjen etnike, e cila ende ekziston", thotë Rexhepi.

Lagja e Boshnjakëve në veri të qytetit të Mitrovicës, që nga data 30 dhjetor kishte qenë dy herë radhazi qendër i disa incidenteve, ku kishin ndodhur djegie të disa dyqaneve me pronarë shqiptarë. Ngjarjet e fundit në këtë lagje kanë shtyrë banorët e saj të krijojnë rreth 3 pika kujdestarie për mbikëqyrjen e situatës. Banori i kësaj lagjeje, Emir Azemi, sqaron qëllimin e krijimit të këtyre pikave:

"Forcat paqeruajtëse janë duke qëndruar pranë lagjes. Ky nuk është një mosbesim, por është një syçelësi e banorëve që nuk mund të flenë, për arsye se grupe të armatosura serbe vërsulen në qëllim të lagjes", shprehet Azemi.

Qyteti i Mitrovicës vazhdon të jetë pjesa më sfiduese në aspektin e sigurisë, sikurse për mekanizmat kosovarë, ashtu dhe për ata ndërkombëtarë, marrë parasysh kundërshtimin e banorëve serbë të pjesës veriore të qytetit karshi institucioneve të Qeverisë së Kosovës.