Java e dytë e sulmeve në Gaza

Sulmet ajrore izraelite kundër caqeve të Hamasit në Rripin e Gazës kanë hyrë në javën e dytë. Deri tani raportohet se mbi 430 palestinezë kanë humbur jetën nga sulmet izraelite dhe mbi 2000 të tjerë janë plagosur. Katër izraelitë kanë vdekur nga sulmet me raketa të Hamasit brenda territorit të Izraelit.

Izraeli ka hedhur poshtë raportet se Gaza po përballet me krizë humanitare, por ka lejuar që të hyjnë në Rripin e Gazës një numër më i madh i automjeteve me mallra.

Trupat tokësore izraelite masivisht gjenden në kufijtë me Gazën, në pritje të një urdhëri të mundshëm për një sulm tokësor në Rripin e Gazës.
Në Damask të Sirisë, udhëheqësi në mërgim i Hamasit, Khaled Mashaal tha se Izraeli do të bënte "një gabim të rëndë" nëse lejonte hyrjen e trupave tokësore në Gaza. Mashaal tha se Hamasi ka pasur humbje të vogla, por e ka në vend të gjithë infrastrukturën e nevojshme.