Njohje e ambasada të reja në pjesën e parë të 2009-ës premton Ministria e Punëve të Jashtme, e cila 2008-ën e vlerëson si vit të suksesshëm sa i përket numrit të njohjeve. Por, kritikët thonë se Ministria nuk ka pasur një platformë të qartë mbi politikën e jashtme të Kosovës.
Numri prej 53 shteteve që njohën Kosovën, paraqet për Ministrinë e Punëve të Jashtme një sukses, megjithëse para shpalljes së pavarësisë, kryeministri Hashim Thaçi pati premtuar se Kosova do njihet këtë vit nga 100 shtete.
Hyseni ka thënë se njohja e deritashme paraqet një numër shumë të mirë që Kosovës i premton një ecje të sigurt edhe në rrafshin e njohjeve tjera ndërkombëtare.
Në takimin e fundvitit me gazetarë, Ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, është shprehur optimist se shtete të reja do ta njohin Kosovën në pjesën e parë të vitit të ardhshëm.
"Viti që po hyjmë do të shënohet me njohje të reja të shumta të shtetit të Kosovës dhe për këtë nuk duhet pasur asnjë dilemë. Shteti i Kosovës po shkon drejt konsolidimit, po shkon drejt afirmimit të plotë ndërkombëtar dhe ky është proces i pandalshëm", tha Hyseni.
Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka shpëtuar në vitin që po lëmë pas pa kritika nga opozita dhe shoqëria civile. Ndër ta, Klubi për Politikë të Jashtme ka kritikuar Ministrinë se që nga themelimi nuk ka pasur një platformë të qartë, mbi të cilën do të ushtronte aktivitetin e vet. Ylli Hoxha është drejtor ekzekutiv i këtij klubi.
"Fatkeqësia jonë është se Ministria e Punëve të Jashtme, koncepti ynë i politikës së jashtme nuk ka pasur asnjë projekt; ende Kosova e udhëheq politikën e saj të jashtme pa një platformë të aprovuar në Kuvendin e Kosovës", u shpreh Hoxha.
Por, kryediplomati kosovar, Skënder Hyseni, pohon se Ministria nuk e ka pasur të lehtë veprimin, për shkak të obstruksioneve që kanë ardhur nga anë të ndryshme, e në veçanti nga fqinji verior.
"Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë gjithë atë që ka qenë e mundur të bëhet në kuadër të mundësive që ka pasur në vitin që lamë pas. Nuk ka pasur iluzione se procesi i njohjeve do të shkojë lehtë, sepse secili ka mundur ta ketë të qartë dhe t’i parashikojë obstruksionet që këtij procesi do t'i bënin disa vende të botës, Serbia në rend të parë shoqëruar me Federatën Ruse dhe disa vende tjera. Për fatin e Kosovës, numër i vogël i vendeve, por gjithsesi një fushatë agresive", tha Hyseni.
Sidoqoftë, Ylli Hoxha mendon se nëse nuk ndryshohet qasja e Ministrisë ndaj bërjes së politikës së jashtme, Kosova nuk do t'i ketë punët mirë, as në vitin 2009.
"Nuk mund të ecim pa projekt. Duhet të kemi një platformë, e cila ndërtohet mbi pajtmin e shumicës së subjekteve politike të Kuvendit të Kosovës. E dyta, është angazhimi në njohjen, legjitimitetin ndërkombëtar të Kosovës, në të cilin kemi çaluar. Prandaj, duhet ulur dhe projektuar se cilat janë synimet tona gjatë vitit 2009, që të mund t'i realizojmë ato. E pamundur është të ecim kështu, që askush të mos japë përgjegjësi për huqjet, dhe ironikisht të deklarojmë se kemi pasur sukses", tha Ylli Hoxha.
Sfida më e vështirë e diplomacisë kosovare do të jetë në pjesën e parë të këtij viti. Në muajin prill duhet dërguar deklarata për të argumentuar pavarësinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kjo gjykatë, pas kërkesës së Serbisë të aprovuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, ka vendosur që të ofrojë mendim këshillëdhënës mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Ministri Hyseni nuk jep detaje se deri në ç'fazë të përgatitjeve është Kosova.
"Kosova është e gatshme dhe po punon intensivisht që më 17 prill, atëherë edhe kur është afati i fundit për të dorëzuar deklaratën me shkrim pranë Gjykatës, ta bëjë dhe do ta bëjë këtë", tha Hyseni.
Ndryshe, Kosova në vitin që po lëmë pas, edhe pse me një vonesë, e cila qe kritikuar nga opozita, ka hapur ambasada në 10 vende të botës, përfshirë SHBA-të dhe shumicën e vendeve kryesore të BE-së.
Në pjesën e parë të vitit të ardhshëm, ministri Hyseni ka paralajmëruar se do të hapen ambasadat edhe në Mal të Zi, Maqedoni, Slloveni, Kroaci, Bullgari, Republikën Çeke, Suedi, Holandë, Kolumbi dhe Japoni. Ndërsa, nga tri zyra për shërbime konsullore do t’i hapë në Zvicër dhe Gjermani.