RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Jessen Petersen, vendosja e EULEX-it solli lehtësimin tek faktorët e përfshirë, por me gjithë mikpritjen, paqartësitë mbeten. Sipas jush, sa arsye kanë kosovarët të festojnë vendosjen e EULEX-it apo të jenë të shqetësuar?
SOREN JESSEN PETERSEN
Mendoj se është pozitive që EULEX-i është në terren, pasi kjo do të thotë se Kosova gjendet më afër Bashkimit Evropian dhe BE-ja po përfshihet më shumë në Kosovë.
Së dyti, prania e BE-së në Kosovë do të thotë se Unioni do të verifikojë përmbushjen e detyrimeve sipas marrëveshjeve të bëra nga të gjitha palët.
Kjo nënkupton se nëse do të ketë ndonjë pengesë në vendosjen e EULEX-it, veçanërisht në veri, do të thotë se pengesat vijnë nga Beogradi, çfarë do bëjë që BE-ja të vëzhgojë përmbushjen e detyrimeve edhe nga Serbia.
Kjo është pozitive dhe me kohë udhëheqësit politikë dhe populli i Kosovës do të shohin përparësitë e pranisë së BE-së, përfshirë këtu edhe veriun.
RADIO EVROPA E LIRË
Pas mbledhjes së fundit të KS-së për Kosovën, OKB-ja doli sërish me rol në Kosovë, madje EULEX-i duhet të raportojë edhe në Nju Jork. A po përpiqet OKB-ja të jetë e dobishme në Kosovë, apo është kthyer në instrument në lojën politike mes fuqive që kanë qëndrime të ndryshme për Kosovën?
SOREN JESSEN PETERSEN
Besoj se para së gjithash është çështje politike. Nuk është sekret se Rusia kundërshtoi për një kohë të gjatë planin e Ahtisaarit apo planin e OKB-së për t’u tërhequr nga Kosova. Në këto kushte Kombet e Bashkuara janë përpjekur të gjejnë një marrëveshje që do të adresonte edhe shqetësimet e Rusisë.
Megjithatë, është e qartë se autoritetet në Kosovë janë Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës. Autoritetet ndërkombëtare janë atje të mbështesin pavarësinë e Kosovës.
Është e qartë se Kosova është e pavarur dhe ky fakt nuk do të ndryshojë. Kosova është në fazën e konsolidimit të pavarësisë dhe BE-ja do t'i ndihmojë këtij procesi.
Sa i përket OKB-së, ata po zvogëlojnë praninë në terren dhe Sekretari i Përgjithshëm ka përsëritur togfjalëshin "realitet i ri", pasi nuk mund ta përdorë termin pavarësi. Kur ai flet për "realitet të ri", kjo ka të bëjë me Kosovën e pavarur.
RADIO EVROPA E LIRË
EULEX-i është paraparë me planin e Ahtisaarit, por aktualisht thuhet se EULEX-i vepron në kuadër të Rezolutës 1244. Kundërthëniet e krijuara në këtë kuadër a nuk e lënë në dorë të vullnetit të individëve se cilat korniza ligjore do të zbatojnë në Kosovë?
SOREN JESSEN PETERSEN
Sërish këtu hyn politika dhe këto janë deklarata për qëllime politike. Ka qenë e nevojshme të ruhet Rezoluta 1244 si bazë për misionin, por realiteti është i ndryshëm. Kosova është e pavarur dhe asgjë, asgjë nuk do ta ndryshojë këtë realitet.
Realitet tjetër është prania e BE-së në terren dhe Unioni përbëhet nga 27 vende anëtare, 22 prej të cilave e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kjo nënkupton se BE-ja nuk është neutrale ndaj statusit, pasi 22 vende kanë qëndrim të qartë ndaj statusit.
Mendoj se situata do të qartësohet me kohën e bashkë me të dhe shqetësimet e krijuara si rezultat i mosmarrëveshjeve politike ndërkombëtare. E pranoj, situata ka qenë disi kaotike, por do të qartësohet me kohën.
RADIO EVROPA E LIRË
Një pyetje është e pashmangshme në të gjitha bisedat tona dhe kjo është gjendja në veri. Në kushtet aktuale, sipas jush, cilat janë gjasat që veriu të integrohet në Kosovën e pavarur dhe cilat janë rreziqet për copëtim, pasi droja ekziston?
SOREN JESSEN PETERSEN
Sërish mendoj se prania e BE-së duhet të jetë garancia më e mirë se nuk do të ketë copëtim të Kosovës. Kjo lidhet me atë që thashë më sipër, se 22 vende anëtare të BE-së e kanë njohur shtetin e Kosovës e bashkë me të dhe integritetin territorial të Kosovës.
BE-ja ka qenë pjesë e Grupit të Kontaktit, që miratoi disa vite më parë parimin se nuk ka copëtim të Kosovës.
Ne duhet të llogarisim se Bashkimi Evropian do të mbetet besnik i parimeve të veta dhe jam plotësisht i bindur se EULEX-i ka synim integrimin e gjithë qytetarëve dhe pjesëve të Kosovës.
Për momentin, veriu paraqet problem, por nëse EULEX-i do të punojë për të gjithë qytetarët e Kosovës, dhe kjo është ajo që do të bëjë ky mision, unë besoj se edhe serbët që jetojnë në veri, do ta kuptojnë se e ardhmja e tyre është në Kosovë.
RADIO EVROPA E LIRË
Kemi dëgjuar nga zyrtarë ndërkombëtarë, por edhe vendorë, se ajo çfarë kemi sot në veri, është rezultat i 8-9 vjetëve të fundit. Sipas jush, sa janë përgjegjës udhëheqësit e Kosovës për gjendjen në veri?
SOREN JESSEN PETERSEN
Jam dakord se fatkeqësisht asgjë nuk ka ndryshuar në veri gjatë 8-9 vjetëve të fundit.
Unë besoj se ne si bashkësi ndërkombëtare dështuam të merrnim një qëndrim të fuqishëm qysh në fillimet e administratës ndërkombëtare, menjëherë pas luftës në vitin '99.
Nëse do të kishim pasur një qasje më të vendosur, ndoshta sot do të ishte tjetër gjendje. Me kalimin e kohës u bë gjithmonë e më e vështirë të trajtohej veriu si pjesë e Kosovës.
Mendoj se udhëheqësit e Kosovës me kohë duhet të ishin më të vullnetshëm ndaj serbëve të Kosovës. Ata mund të ishin më aktivë që t'u afroheshin serbëve të Kosovës si me fjalë dhe me vepra. Udhëheqësit e Kosovës kanë mundur t'ua shtrinin dorën serbëve vendorë.
Që nga shpallja e pavarësisë, udhëheqësit e Kosovës kanë qenë shumë të qartë se i duan serbët vendorë në Kosovë, duan që ata të jenë pjesë e Kosovës dhe duan të punojnë së bashku me ta. Krerët e Kosovës kanë mirëpritur dhe vendosjen e EULEX-it në veri.
Aktualisht, duke i pasur shqiptarët e Kosovës më të vullnetshëm ndaj serbëve vendorë, me misionin e BE-së në terren mendoj se edhe Beogradi do t'i japë fund lojërave me njerëzit në veri. Nëse Beogradi i jep fund lojërave politike në veri të Kosovës, atëherë do të jemi në gjendje të bëjmë diçka për njerëzit.