Gjasat që universiteti serb në Mitrovicë të integrohet në sistemin e arsimit kosovar, duken të vogla, por Qeveria e Kosovës shpreson që kjo të ndodhë vitin e ardhshëm akademik. Pakoja e Ahtisaarit i lejon atij autonomi, por kërkon që statuti i tij të jetë në përputhje me legjislacionin kosovar.
Synimet e Ministrisë së Arsimit që ta integrojë qysh vitin e ardhshëm në sistemin arsimor kosovar universitetin serb të vendosur në Mitrovicë, për përfaqësuesit serbë nuk duken të realizueshme.
Universiteti i Mitrovicës vepron në përputhje me legjislacionin dhe plan-programet e Qeverisë serbe. Pakoja e Ahtisaarit parasheh që ky universitet të jetë autonom, por statuti i tij të jetë konform legjislacionit qendror kosovar.
Ministri kosovar i Arsimit, Enver Hoxhaj, është optimist se çështja e Universitetit të Mitrovicës do të zgjidhet vitin e ardhshëm.
"Ne, si Ministri e Arsimit, e shohim rolin tonë që t'i ndihmojmë të gjitha komuniteteve, në rastin konkret edhe komunitetit serb, dhe ta kemi një arsim të integruar në territorin e Republikës së Kosovës. Gjatë këtij viti kemi punuar intensivisht që të sigurojmë ekspertë, që do të na ndihmojnë në një çështje të tillë dhe shpresojmë se 1 shtatori i vitit 2009 do të jetë një datë kur nxënësit serbë do të jenë pjesë e sistemit tonë arsimor", thotë ministri Hoxhaj.
Por, një qasje krejt tjetër ndaj zgjidhjes së këtij problemi ka rektori i Universitetit të Mitrovicës, Zdravko Mitosheviq. Ai nuk pranon që zgjidhja e këtij problemi të ndodhë në kuadër të pakos së Ahtisaarit.
"Fatkeqësisht, te ne të gjitha çështjet politizohen e nuk i lihen profesionalizmit. Atë qe ne si profesionistë kemi bërë, flas këtu për Universitetin e Prishtinës të shpërngulur në Mitrovicë dhe për Universitetin e Prishtinës që ka mbetur në Prishtinë, është marrëveshja 3+3+3 e 21 marsit të vitit 1998, e nënshkruar nga Millosheviqi, Rugova dhe monsinjor Pale nga Shën Egjidio, e cila bën ndarje të qartë të mësimit në gjuhën shqipe e serbe në universitet", thotë rektori Mitosheviq.
Por, realiteti politik nga '98-a ka ndryshuar rrënjësisht e me këtë edhe i tërë legjislacioni. Pakoja e Ahtisaarit, mbi të cilën është bazuar Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, rregullon arsimin serb në Kosovë.
Çështjet kundërthënëse parashihet që t'i zgjidhë një komision i përbërë nga tre përfaqësues serbë të zgjedhur nga Kuvendi, tre nga Ministria kosovare e Arsimit dhe një ndërkombëtar i zgjedhur nga Zyra Civile Ndërkombëtare.
Por, Zdravko Mitosheviq mendon së një nivel më i lartë shtetëror duhet të merret me këtë çështje.
"Këto bisedime duhet të bëhen në nivel shtetëror. Ky është një rreth vicioz nga i cili vështirë se do të dalim. Por, duhet të bazohemi në standardet evropiane të sistemit të arsimit të lartë", thotë Mitosheviq.
Po janë pikërisht standardet evropiane, që kërkohen të përmbushen me pakon e Ahtisaarit. Por, janë problemet e karakterit politik, që vonojnë zgjidhjen e arsimit të lartë. Ministri Hoxhaj e konfirmon këtë.
"Kuptohet që kjo çështje mjerisht është shndërruar në problem politik dhe dinamika e punës sonë nuk varet vetëm nga MASHT-i, por edhe nga suksesi që do të ketë EULEX-i në Kosovë, nga përkushtimi ynë në zbatimin e planit të Ahtisaarit dhe mbështetja që do ta kemi nga Përfaqësuesi i Zyrës Civile Ndërkombëtare", tha Hoxhaj.
Analistët vlerësojnë se pakoja e Ahtisaarit u ka dhënë të drejta të avancuara serbëve në të gjitha fushat, por veçanërisht në arsim.
Serbët mund të përdorin plan-programe dhe tekstet e Qeverisë serbe dhe për këtë do të mjaftonte një leje e Ministrisë Kosovare të Arsimit. Ndërsa, me këtë pako, përgjegjësinë për Universitetin Publik të Mitrovicës nuk e ka Prishtina zyrtare, por vetë Komuna e Mitrovicës.