A mund të shtojë EULEX-i njohjet e Kosovës?

Nisja e punës së EULEX-it në Kosovë është sinjal pozitiv për rritjen e njohjes së shtetit të Kosovës, thonë analistët. Sipas tyre, ka ende çështje të padefinuara rreth veprimit të këtij misioni, dilema këto që ndikojnë edhe në arenën ndërkombëtare.

Fillimi i operimeve të misionit për sundim të ligjit dhe polici të Bashkimit Evropian në Kosovë është një sinjal i mirë për stabilitetin e Kosovës dhe të rajonit, i cili do të rrisë sigurinë e shteteve hezituese që akoma nuk e kanë njohur Kosovën, për të ndërmarrë një hap të tillë.

Kështu vlerësojnë analistët në Prishtinë, të cilët thonë se EULEX-i do të mund të ndikojë pozitivisht në zgjidhjen e shumë problemeve, të cilat kishin shërbyer si shkas për shtete të caktuara për të mos njohur shtetësinë e Republikës.

Analisti Ismail Hasani vlerëson se, pavarësisht progresit që mund të arrihet në fusha të caktuara, shtete të ndryshme mund të vazhdojnë të kenë rezerva në qëndrimin e tyre karshi Kosovës.

"Mendoj se kjo ngjarje do të ndikojë pozitivisht në trendet e përgjithshme për mundësinë e njohjes ndërkombëtare të Kosovës. Por, unë konsideroj se njohjet nuk do të pasojnë nga vendet tanimë problematike të botës islame, për arsye të njohura të një qëndrimi, do të thosha të rezervuar karshi Kosovës", vlerëson Hasani.

EULEX-i të martën ka filluar veprimin e tij në të gjithë territorin e Kosovës si mision asistues, monitorues dhe këshillues për institucionet kosovare në fushën e sundimit të ligjit.

Beogradi zyrtar kishte këmbëngulur që misioni EULEX të veprojë në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, ndërkaq Qeveria e Kosovës ka theksuar nevojën e zbatimit të ligjeve të Kushtetutës së shtetit të Kosovës nga ky mision.

Drita jeshile për zbarkimin e misionit EULEX në Kosovë iu dha këtij misioni përmes një deklarate presidenciale të Këshillit të Sigurimit, duke mos precizuar kornizën ligjore të veprimit të EULEX-it.

Analisti politik, Driton Lajçi, sqaron pikëpamjen e tij për këtë çështje:

"Akoma kjo çështje mbetet e hapur, sepse ka akoma shumë pikëpyetje se si do të veprojë misioni i EULEX-it në Kosovë. A do të veprojë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës apo do t'i qëndrojë besnik Rezolutës 1244, apo do të jetë trashëgimtar i UNMIK-ut? Pra, janë disa pyetje, të cilat akoma do ta mbajnë pikturën e Kosovës të paqartë", shprehet Lajçi.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian e kishin cilësuar si hap pozitiv sikurse për Prishtinën, ashtu dhe për Beogradin, nisjen e punës së EULEX-it në Kosovë. Por, sipas Hasanit, marrëdhëniet Prishtinë-Beograd do të vazhdojnë të mbesin ato që kanë qenë deri më tani.

"Pozicionet e Prishtinës dhe të Beogradit janë diametralisht të kundërta. Beogradi vazhdon të ëndërrojë fitoren mbi diplomacinë ndërkombëtare karshi problemit të Kosovës, ndërkaq Prishtina, në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, është koshiente për sfidat që pasojnë edhe pas fillimit të implementimit të kësaj ndërmarrjeje", tha Hasani.

Kosovën, gjer më tani, e kanë njohur 53 shtete nga arena ndërkombëtare, prej të cilave 22 nga Bashkimi Evropian. Ndërkohë, të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së kanë dhënë miratimin e tyre për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë.