Në veri të Kosovës, përfaqësuesit politikë të serbëve pohojnë se ende nuk e kanë të qartë mandatin e misionit evropian për sundimin e ligjit. Disa prej tyre thonë se pavarësisht nga kundërshtimet që mund t’i kenë, është Beogradi ai që ka lejuar zbarkimin e tij dhe komuniteti serb në Kosovë duhet të bashkëpunojë me të.
Përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, që jetojnë në veri të Mitrovicës, kanë thënë se do të ishte më mirë që zbarkimi i EULEX-it të fillonte më vonë, derisa të ishte qartësuar mirë mandati i tij.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Serb në Mitrovicë, Nebojsha Joviq, ka thënë se është dashur që fillimisht të dëshmohet paanshmëria e këtij misioni karshi statusit të Kosovës dhe gatishmëria për të bashkëpunuar me serbët.
"Nëse e dëshmojnë që para së gjithash janë neutralë në raport me statusin e Kosovës, atëherë kjo për bashkësinë serbe nuk do të ishte fare problem, përkundrazi, do ta shtonte besimin. Por, pas 24 orësh, policët e UNMIK-ut duhet të heqin uniformat e tyre dhe atëherë shtrohet pyetja me kë do të bashkëpunojmë ne, meqë EULEX-i nuk e ka kontrollin e plotë", thotë Joviq, duke thënë se mungesa e policëve të UNMIK-ut, do ta rrezikojë situatën e sigurisë.
Peshkopi serb Artemije i Kishës Ortodokse në Kosovë është i mendimit se EULEX-i është në Kosovë për të zbatuar në tërësi planin e Martti Ahtisaarit dhe si i tillë është negativ.
"Megjithatë, marrë parasysh faktin se shteti ynë e ka pranuar këtë mision dhe ai zbarkon me lejen dhe pajtimin e Beogradit, ne do të vazhdojmë bashkëpunimin në frymën që e kemi bërë edhe me UNMIK-un. Fundja, nuk jemi në gjendje dhe nuk duam të konfrontohemi me shtetin tonë dhe Beogradin", thotë Peshkopi serb Artemije.
Në rrugët e veriut të Mitrovicës, ndërkaq, qytetarët e rëndomtë serbë kanë mendime të ndryshme.
"Pres që më në fund ata të jenë në anën tonë, në anën e serbëve. Nëse ata punojnë përfundimisht në mënyrë reale dhe të drejtë, nuk do t'i pengojnë askujt, por nëse punojnë kundër Serbisë dhe popullit serb, atëherë për zotin është e natyrshme që asnjëri s'do të jetë në anën e tyre", thotë kjo qytetare serbe.
Një tjetër bashkëkombës i saj pohon se nuk pret ndonjë gjë të veçantë nga misioni evropian.
"Nuk pres asgjë, nuk e di çfarë të them vërtet, ndoshta do të jetë më mirë e ndoshta jo, por unë nuk besoj se do të jetë më mirë", thotë ky qytetar serb nga Mitrovica.
Pjesëtarë të misionit EULEX kanë hyrë tashmë në Gjykatën e Qarkut në veri të Mitrovicës, pikat doganore në kufi me Serbinë dhe në stacionin policor në veri të Mitrovicës. Komandanti i këtij stacioni, Milija Millosheviq, ka deklaruar se dy policë të EULEX-it kanë zbarkuar në këtë stacion.
"Pritet që në ditët e ardhshme të vijnë edhe dy-tre policë të tjerë në stacionin policor të veriut", thotë Millosheviq, duke shtuar se ata do të funksionojnë në një formë të sistemit monitorues.
Kundërshtarët më të mëdhenj të misionit EULEX kanë qenë pikërisht përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, të cilët edhe pas pajtimit të Beogradit, kanë nguruar të pranojnë zbarkimin e këtij misioni, të cilin ata e kanë cilësuar si mision që legjitimon pavarësinë e Kosovës.
Pikërisht në këtë kuadër, pritjet janë që misioni evropian të përballet me sfida të caktuara, veçanërisht kur bëhet fjalë për kornizën ligjore të veprimit të tij.