Liderët kosovarë urojnë Kurban Bajramin

Besimtarët e fesë islame në Kosovë sot kremtojnë Festën e Kurban Bajramit. Udhëheqësit fetarë dhe politikë të Kosovës ua kanë uruar të gjithë besimtarëve të fesë islame Kurban Bajramin, duke bërë thirrje për paqe, tolerancë dhe qetësi.

"Ne jemi dëshmitarë se ditëve të fundit vendi ynë po përballet me sfida të hapura, por jam i bindur se do t'i tejkalojmë me sukses. Për këtë na nevoitet uniteti veprues i të gjithë faktorëve institucionalë, politikë e qytetarë", tha myftiu Naim Tërnava.

Sot udhëheqësit shtetërorë dhe dhe liderë të partive politike të Kosovës vizituan Bashkësinë Islame në Prishtinë.

Presidenti Fatmir Sejdiu e vlerësoi lart rolin e shoqërisë kosovare në tolerancën fetare. Ai tha se Kosova ka arritur aty ku është falë sakrificave të mëdha dhe lutjeve të popullit të Kosovës për liri e pavarësi.

Kryeministri Hashim Thaçi shprehu bindjen se shteti i Kosovës në javët dhe muajt e ardhshëm do të dijë t'i menaxhojë problemet aktuale, dhe se njohjet për shtetësinë e Kosovës do të rriten edhe më tutje.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi u uroi të gjithë besimtarëve begati dhe mirëqenie.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Kurban Bajrami është festë që i bashkon të gjithë qytetarët e Kosovës.