LDK-ja thotë se javën e ardhshme do të emërojë dy zv/ministrat dhe kryeshefin e ri ekzekutiv, ndërkohë që disa zyrtarë të saj vazhdojnë të kërkojnë zgjedhje për të gjitha strukturat, përfshirë kryetarin dhe kryesinë e partisë.
Nga java e ardhshme, Lidhja Demokratike e Kosovës paralajmëron që do të marrë disa vendime si në lidhje me procesin e brendshëm të reformave, ashtu edhe me emërimin e dy zëvendësministrave nga radhët e saj për dy postet e zbrazëta në Qeverinë e Kosovës.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, paralajmëron dy muaj intensivë të zhvillimeve në LDK sa i përket reformave, deri në mbajtjen e zgjedhjeve partiake.
“Realisht, finalizimi i krejt procesit ndodh me proces zgjedhor. Por, oraret që ne i kemi përcaktuar lidhen ngushtë me zgjedhjet lokale në Kosovë. Ajo që është risi në Kosovë - ne do të dalim me nominime diku deri më 15 mars sipas orarit edhe me kandidatët tonë për kryetarët e komunave”, tha Haziri.
Ndërkohë, anëtari tjetër i Kryesisë së LDK-së, Astrit Haraqija, thotë se reformat në LDK kishin një pauzë këtë muajin e fundit dhe se tash pritet që partia t’i rikthehet këtij procesi. Për një reformim të mirëfilltë të LDK-së, Haraqija e sheh si të domosdoshme që në fund procesi të përfundojë me zgjedhjet e reja në LDK për të gjitha strukturat e saj dhe jo vetëm për një pjesë të kryesisë.
“Unë besoj se qysh javën e ardhshme do të zgjidhet kryeshefi ekzekutiv i partisë, si dhe grupi për planifikim strategjik brenda partisë, dhe do të vazhdojmë me planin dinamik. Llogarisim që nga fundi i muajit mars të fillojmë me zgjedhjet partiake dhe diku në muajin maj të përfundojnë zgjedhjet e partisë”, deklaroi Haraqija.
Astrit Haraqija edhe këtë herë ka potencuar rëndësinë që, sipas tij, e ka për partinë që presidenti Fatmir Sejdiu të marrë nën drejtim reformat dhe të lëshojë postin e presidentit të shtetit.
“Unë kam kërkuar edhe më herët dhe kam thënë se për mua shumë më e rëndësishme është partia, sesa një post dekorativ i kryetarit Sejdiu. Më mirë do të ishte që ta lëshojë postin e kryetarit të shtetit dhe të vijë e t’i udhëheqë reformat e partisë. Por, prapëseprapë, ai e ka shprehur gatishmërinë që reformat nuk do t’i pengojë, por do t’i lë që të vazhdojnë”, thekson Haraqija.
Në anën tjetër, Lutfi Haziri nuk e sheh si pengesë postin e presidentit. Ai thotë se Sejdiu është dhe mbetet një lider i pakontestueshëm i LDK-së, që është zgjedhur në mënyrë demokratike.
“Zoti Sejdiu - si lider i LDK-së, i zgjedhur në një proces brenda LDK-së në konkurrencë shumë të ashpër, ushtron sot detyrën e presidentit dhe e ka obligim që të kujdeset edhe për partinë në të cilën është zgjedhur dhe nga e cila ka dalë, ka marrë detyrën e presidentit të vendit”, vlerëson Haziri.
Ndonëse kishte filluar një proces reformash, LDK-ja ka hasur sërish në probleme pas dorëheqjes së kryeshefit të saj ekzekutiv, Blerim Kuçi, i cili pati deklaruar se dorëheqja atij i ishte kërkuar nga presidenti Fatmir Sejdiu, i cili mban dhe postin e ngrirë të kryetarit të LDK-së.
Tani LDK-ja është në kërkim të emërimit të një kryeshefi të ri të partisë, i cili do të merrte përsipër reformat. Lutfi Haziri thotë se pa spekuluar për emrat, ai do të jetë një personalitet që mund ta bartë këtë proces dhe do të emërohet javën e ardhshme.
“Ne kemi punuar shumë për kriteret brenda strukturës sonë, për të bërë një numër të madh të emërimeve që do të ndodhin javën e ardhshme, dhe çështja e koordinatorit apo e ekzekutivit është e lidhur ngushtë me vendimet që priten të ndodhin javën e ardhshme. Nuk do të doja të spekuloja apo të lansoja asnjë emër”, pohoi Haziri.
Po në lidhje me kryeshefin e ri ekzekutiv të partisë, Astrit Haraqija beson se në mesin e emrave të përfolur deri më tash, në fund kryesia e partisë të përcaktohet për nënkryetarin e saj, Fadil Feratin.
“Për Isa Mustafën ka vetëm spekulime nëpër media, ne nuk e kemi diskutuar kurrë në kryesi. Sa i përket Naim Jerliut, javën e kaluar ka biseduar dikush, por jo me kryesinë. Unë besoj se do të zgjidhet Fadil Ferati”, tha Haraqija.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë si subjekti i dytë politik pas zgjedhjeve të fundit. Vdekja e presidentit Ibrahim Rugova, themelues dhe prijës i kësaj partie, pastaj ndarja e saj në dy subjekte politike, konsiderohen si momente kyçe që kanë ndikuar në rënien e LDK-së nga kreu i spektrit politik. Tani, zyrtarët e saj synojnë disa reforma për të kthyer ndikimin dhe imazhin që LDK-ja kishte dikur në skenën politike të Kosovës.