Zëvendëskryeministri i Çekisë për çështje evropiane, Aleksandar Vondra, ka deklaruar në Pragë se pret që gjatë vitit 2009, Kosovën do ta njohin edhe ato vende anëtare të BE-së, që deri tash nuk e kanë njohur. Çekia prej 1 janarit 2009, merr presidencën e radhës së Bashkimit Evropian.
Republika e Çekisë, kryesuese e ardhshme e presidencës së Bashkimit Evropian, pret që vitin e ardhshëm edhe vendet e tjera do ta njohin Kosovën.
Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Aleksandar Vondra, tha sot në Pragë, në një konferencë për shtyp, se pret që vitin e ardhshëm Kosovën do ta njohin edhe disa vende anëtare të BE-së, që tash këtë nuk e kanë bërë.
“Është e vërtetë se disa vende të BE-së ende nuk e kanë pranuar Kosovën, por numri i vendeve që e kanë njohur Kosovën, gradualisht po rritet. Padyshim, gjatë vitit të ardhshëm, atyre do t’u bashkohen edhe vende të tjera, përfshirë edhe shtetet anëtare të BE-së”, tha zoti Vondra.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Javier Solana, pasdite në Pragë, takohet me të dërguarin e posaçëm të BE-së në Kosovë, Pieter Feith. Raportohet se takimi është i mbyllur për media.
Zoti Solana gjendet në Pragë, ku po realizon takime me zyrtarët më të lartë të Çekisë.
Ky vend, prej 1 janarit e kryeson presidencën e radhës së BE-së dhe për prioritet ka paraqitur përshpejtimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.