Protestë në mbrojtje të sovranitetit

Protesta në Prishtinë, 2 dhjetor 2008.

Disa mijëra qytetarë kanë protestuar në Prishtinë, në shenjë kundërshtimi me rrethanat në të cilat do të fillojë funksionalizimi i misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX.




"Jo ndarje jo, të bëhemi sovranë!"


Me këto brohoritje, disa mijëra qytetarë kanë protestuar në Prishtinë në shenjë kundërshtimi me rrethanat, në të cilat do të fillojë funksionalizimi i misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX-i.

Këto rrethana janë përcaktuar në dokumentin gjashtëpikësh, i cili është përfshirë në raportin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, të miratuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, javën që shkoi.

Me moton "Në mbrojtje të sovranitetit", marshuta e protestuesve filloi nga Biblioteka Kombëtare në Prishtinë, duke kaluar afër selisë së misionit EULEX në qendër të qytetit dhe përfundoi tek ndërtesa e Kuvendit të Kosovës.

Protestuesit kanë bërë thirrje për hedhjen poshtë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe kundër EULEX-it dhe UNMIK-ut.

Udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i është drejtuar masës duke thënë se dokumentet janë ato që kanë rëndësi dhe jo deklaratat e politikanëve.

“Me këto gjashtë pika, legalizohen strukturat paralele të Serbisë, edhe situata që është në veriun e Kosovës, riprodhohet nëpër krejt Kosovën, kudo ku ka një fshat ose një lagje të banuar me serbë”,
ka thënë Kurti.

Kurti tha se EULEX-i nuk do të mund t'i zhbëjë këto struktura paralele, për vetë faktin se do të funksionojë në kuadër të administratës së rikonfiguruar të Kombeve të Bashkuara.

“EULEX-i do të ketë imunitet nga ndjekjet penale në Kosovë. Ligji ynë nuk i kap këta. EULEX-i do të ketë zyrë në Beograd, por jo edhe në Tiranë. EULEX-i po vjen pa referendum në Kosovë, pa e pasur pëlqimin e popullit të Kosovës”, deklaroi Kurtin.

Ai tha se EULEX-i nuk do të jetë i mirëpritur, por i përcjellë edhe me protesta, ndërkaq shefi i administratës së Kombeve të Bashkuara, Lamberto Zannier, person i padëshirueshëm.

“Andaj, UNMIK-ut dhe EULEX-it i themi: Jashtë, jashtë, jashtë...”,
ka brohoritur ai.

Organizatorët dhe protestuesit njëkohësisht kanë adresuar edhe kritika të ashpra në adresë të udhëheqësve vendorë, duke i akuzuar ata për, siç është thënë, gënjeshtra dhe mungesë lidershipi.

Kjo protestë është e dyta me radhë që thirret nga një numër organizatash joqeveritare në më pak se një javë. Dokumenti gjashtëpikësh i Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, është kundërshtuar edhe nga udhëheqësit e institucioneve qendrore, të cilët kërkojnë që baza ligjore e EULEX-it të jetë Kushtetuta e Kosovës.

Sipas këtij gjashtëpikëshi, EULEX-i do të ketë qasje neutrale karshi statusit të Kosovës dhe do të veprojë nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara.

EULEX-i, ndërkaq, pritet të fillojë zbarkimin më 9 dhjetor, në pritje të një miratimi formal më 5 dhjetor, nga ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian.

Akoma nuk është e qartë nëse data 9 dhjetor do të shënojë edhe fillimin e zbarkimit në veri të Kosovës, aty ku përfaqësuesit vendorë të serbëve kanë shprehur hapur kundërshtimin e tyre me këtë mision.