Sa autoritete sigurie do të ketë Kosova?

Duke filluar nga data 9 dhjetor, në Kosovë, me uniforma të ndryshme, do të veprojnë policia e Kosovës, policia e UNMIK-ut, ajo e EULEX-it, si dhe trupat e KFOR-it. Këtyre forcave pritet që në të ardhmen t'u shtohen edhe trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Me shtrirjen e misionit për polici dhe drejtësi të Bashkimit Evropian (EULEX) në Kosovë, tre mekanizmave të deritanishëm të sigurisë do t'u bashkohet edhe një mision policor, i cili do të ketë uniformën e vet.

Kështu, duke filluar nga data 9 dhjetor, në Kosovë, me uniforma të ndryshme do të veprojnë policia e Kosovës, policia e UNMIK-ut, ajo e EULEX-it, si dhe trupat e KFOR-it.

Këtyre forcave pritet që në të ardhmen t’u shtohen edhe trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke e çuar në pesë numrin e autoriteteve të sigurisë që do të veprojnë me mandate të ndryshme dhe në zona të ndryshme në territorin e Kosovës.

Eksperti për çështje të sigurisë, Nuredin Ibishi, nuk hedh poshtë mundësinë që në rast të zbatimit të planit gjashtëpikësh të OKB-së për rikonfigurimin e pranisë civile ndërkombëtare, lidhur me veprimet e mekanizmave të sigurisë, të ketë paqartësi të mëdha.

"Shqetësimi më i madh do të jetë nëse realizohen tendencat e planit 6-pikësh të OKB-së për ndryshimin e strukturës së policisë të minoritetit serb, e cila mund të bëhet shqetësimi dhe sfida më e madhe për popullin e Kosovës", tha Ibishi.

Prezenca e mekanizmave të ndryshëm të sigurisë në Kosovë do të vërehet më intensivisht në Mitrovicë, ku në dy pjesët e qytetit të ndarë nga lumi Ibër, pritet të veprojnë autoritete të ndryshme të sigurisë.

Për dallim nga pjesa jugore e këtij qyteti, ku përgjegjës kryesor do të jenë policia e Kosovës dhe ajo e misionit të Bashkimit Evropian, në veri autoritet akoma relevant pritet të mbetet policia e UNMIK-ut, e cila do t’i mbajë përgjegjësitë aktuale që ka.

Eksperti Ramadan Qehaja mendon se mund të ketë përplasje të përgjegjësive ndërmjet këtyre autoriteteve.

"Unë nuk jam decidiv në këtë, por mendoj se në terren mund të vijë deri te moskuptimet në mes të policisë së EULEX-it dhe policisë sonë",
vlerësoi Qehaja.

Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila, sipas planit të presidentit Martti Ahtisaari, duhet të jetë operacionale në muajin qershor të vitit 2009, sipas Qehajës do të jetë një strukturë e re shumë e nevojshme e sigurisë.

Mirëpo, ai thotë se autoritetet përgjegjëse për themelimin e FSK-së janë vonuar në këtë drejtim, duke shkaktuar kështu disa pasoja në aspektin e sigurisë.

"Tani jemi në një vakuum, ku nuk kemi mjete dhe forca të duhura për çështje të vetëmbrojtjes, e jo për të rrezikuar dikë",
shtoi ai.

Aktualisht, në Kosovë veprojnë tri autoritete të sigurisë: trupat mbrojtëse të KFOR-it me një kapacitet prej rreth 16 mijë ushtarësh, të cilët, sikurse edhe pjesëtarët e policisë së UNMIK-ut, janë prezentë në Kosovë që nga muaji qershor i vitit 1999; për mbajtjen e rendit dhe të qetësisë në Kosovë është përgjegjëse edhe policia e Kosovës, dikur Shërbimi Policor i Kosovës, që filloi së vepruari në shtator të vitit 1999.

KFOR-i dhe policia e UNMIK-ut funksionojnë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, ndërkohë, Policia e Kosovës - bazë ligjore për operimin e saj ka Kushtetutën e Republikës së Kosovës.