Nokaj: Rasti i tre gjermanëve të kalojë tek ndërkombëtarët

Kolegji i Gjyqtarëve të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë ka shqyrtuar sot ankesën e bërë nga avokatët mbrojtës të tre shtetasve gjermanë, të arrestuar si të dyshuar për vënien e mjetit shpërthyes në ndërtesën e Zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë, më 14 nëntor.

Kolegji ka shtyrë marrien e vendimit për ndërprerjen e paraburgimit deri nesër, duke kërkuar që me këtë lëndë të merren gjykatësit ndërkombëtarë.

“Do të bisedojmë me gjyqtarët ndërkombëtarë, që ta marrin rastin, nëse ata nuk e marrin, atëherë ne do të vendosim si panel”, tha Anton Nokaj, kryetar i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë.

“Nuk kemi pasur presione, por duke marrë parasysh peshën e rastit atëherë kemi vendosur se më së miri është që të vendosin gjyqtarët ndërkombëtarë”, ka thënë zoti Nokaj.